Kuvendi i Shqipërisë ka nisur zyrtarisht sesionin e ri parlamentar, me rikthimin në punë të 140 deputetëve, të cilët përgatiten për një legjislaturë të ngarkuar me projektligje e marrëveshje që presin të diskutohen, votohen e miratohen.
Kryetari Niko Peleshi ka mbajtur fjalën përshëndetëse dhe u ka uruar punë të mbarë kolegëve, teksa është shprehur se kjo legjislaturë do t'i paraprijë punimeve për reformën administrative-territoriale dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por ndërkohë që brenda në sallën e Kuvendit deputetët kanë nisur sesionin e ri, jashtë Policia e Shtetit e ka futur sheshin kryesor dhe rrugën në shtetrrethim, për shkak se aty janë grumbulluar qindra qytetarë.
Jashtë sallës ku zhvillohet seanca, protestuesit kanë vijuar me thirrjet kundër qeverisë; “Ju erdhi fundi”, e cila është një prej frazave më të dëgjuara gjatë tubimit 101 ditor.
Kur kanë kaluar rreth 30 minuta nga nisja e protestës, kanë nisur shoqërimet e para nga Policia e Shtetit. Disa protestues kanë tentuar të kalojnë rrethimin metalik dhe janë shoqëruar nga Forcat Shqiponja, të cilat janë në gatishmëri në këtë tubim.
Qytetarët janë shpërndarë në një sipërfaqe të konsiderueshme, nga sheshi kryesor përpara Parlamentit, në shëtitore; bllokun e ministrive; pas qendrës tregtare; në pedonalen përpara Kalasë së Tiranës e deri në hyrjen veriore te bulevardit Dëshmorët e Kombit.
