Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ka dalë me një vendim për të bojkotuar seancat gjyqësore pa një afat të përcaktuar, duke filluar që prej ditës së sotme e deri në pezullimin e rregullores së Gjykatës së Posaçme, e cila ndër të tjera parashikon ndalimin e celularëve për avokatët.
Ky vendim është marrë nga Këshilli i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe ka hyrë në fuqi menjëherë, pas mungesës së një reagimi nga GJKKO, ndaj kërkesës së dorëzuar asaj nga Maksim Haxhia, për rishikimin e rregullores.
Ndërsa është lajmëruar se për avokatët të cilët nuk zbatojnë bojkotin do të merren masa dispilinore.Po ashtu raportohet se përjashtim nga bojkoti do të bëjnë vetëm rastet për masat e sigurisë.
Kujtojmë se ashtu siç raportuam më herët Dhoma e Avokatisë i bërëi një kërkesë GJKKO-së që të pezullonte menjëherë rregulloren e re dhe avokatët të lejoheshin të mbanin celularët në sallën e gjyqit.
“I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional dhe na konfirmon në vazhdimësi trajtimin që u bëjnë avokatëve gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. I kam kërkuar kreut të KLGJ-së një takim urgjent për këtë masë dhe më është komunikuar që ky Këshill nuk mblidhet para datës 15. Ne insistojmë që duhet ta bëjmë këtë takim”, tha Haxhia më herët gjatë ditës së sotme.
Teksa kujtojmë se që prej 1 shtatorit, kur rregullorja hyri në fuqi, Haxhia i ka dorëzuar një kërkesë Gjykatës së Posaçme, duke kërkuar rishikimin e dispozitave që prekin drejtpërdrejt komunitetin e avokatëve. Sipas avokatëve, ndalimi i përdorimit të telefonave gjatë seancave gjyqësore prek drejtpërdrejt ushtrimin e profesionit të tyre. Edhe mediat, së bashku me organizatat ndërkombëtare të medias kanë kundërshtuar rregulloren, duke e konsideruar atë një masë që cenon të drejtën e informimit.

