Mbi 100 të interesuar i janë përgjigjur deri tani thirrjes së Agjencisë për Media dhe Informim (MIA) për t’u bërë pjesë e Rrjetit MIA, ndërsa kanë mbetur edhe tri ditë nga përfundimi i aplikimeve.
MIA u bën thirrje gazetarëve, krijuesve, ekspertëve, të rinjve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme që t’i bashkohen kësaj faze të re të reformimit të komunikimit publik.
Të interesuarit mund të aplikojnë për t’u angazhuar në strukturat e komunikimit të institucioneve qendrore, por edhe të propozojnë ide, projekte apo zgjidhje që synojnë përmirësimin e komunikimit publik.
Në fokus janë profesionistët me aftësi në komunikim, media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të të dhënave. Thirrja u drejtohet gazetarëve, krijuesve, dizajnerëve, programuesve, ekspertëve të teknologjisë, si dhe çdo personi që ka një ide konkrete për ta bërë më efikas komunikimin publik.
“Deri tani janë regjistruar mbi 100 aplikime”, bën me dije MIA, duke theksuar se synimi është përfshirja e talenteve, ideve dhe energjive të reja në komunikimin publik.
Agjencia premton një proces vlerësimi meritokratik për çdo kandidat, me synimin për të përzgjedhur profesionistët më të mirë.
Aplikimet vijojnë të jenë të hapura edhe për tri ditë.

