Një zjarr i madh pyjor ka përfshirë provincën Mugla, në jugperëndim të Turqisë, duke vënë në alarm autoritetet dhe banorët e zonës.
Flakët janë përhapur me shpejtësi të favorizuara nga erërat e forta, ndërsa zjarri ka prekur zonat Mentese dhe Ula. Për arsye sigurie, banorët e tre banesave janë evakuuar, ndërsa nga zona e rrezikuar janë larguar edhe bagëtitë.
Guvernatori i Muglas, Idris Akbiyik, bëri të ditur se operacioni për shuarjen e zjarrit po zhvillohet njëkohësisht nga ajri dhe toka.
Në terren janë angazhuar shtatë avionë, 13 helikopterë, 32 automjete zjarrfikëse dhe 232 punonjës të emergjencave, të cilët po përpiqen të frenojnë përhapjen e flakëve.
Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Pyjeve njoftoi se një tjetër zjarr në pyje, në provincën e Antalias, është vënë nën kontroll.
Zjarret pyjore janë të shpeshta në Turqi gjatë muajve të verës. Eksperti i Universitetit të Stambollit, Cihan Erdonmez, ka deklaruar se ndër shkaqet e zakonshme janë edhe linjat elektrike të pamirëmbajtura që kalojnë nëpër zona pyjore.
Sipas ministrit turk të Pyjeve, Ibrahim Yumakli, gjatë vitit 2025 në Turqi u regjistruan më shumë se 5 mijë zjarre pyjore, ndërsa rreth 96% e tyre u shkaktuan drejtpërdrejt ose tërthorazi nga aktiviteti njerëzor.

