Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër pas varrimit të Ratko Mlladiqit në Beograd, ku ish-komandanti ushtarak serb i Bosnjës u përcoll me nderime shtetërore.
Në deklaratën e saj, BE-ja dënoi çdo formë glorifikimi të personave të dënuar për krime lufte, duke theksuar se mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi i historisë së krimeve të luftës bien ndesh me vlerat themelore evropiane.
“Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane dhe nuk kanë vend në BE ose në vendet kandidate për në BE”, thuhet në reagimin e Brukselit.
Mlladiq, i cili ndërroi jetë ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm, ishte dënuar në vitin 2017 nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë.
BE-ja shprehu solidaritet me viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, duke rikujtuar se drejtësia dhe pajtimi mbeten thelbësore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.
Brukseli vuri gjithashtu theksin te marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe pajtimi rajonal, duke paralajmëruar se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk përputhet me rrugën evropiane.
“Pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në Ballkanin Perëndimor mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët”, theksoi BE-ja.
Në deklaratë, Bashkimi Evropian nënvizoi se do të vijojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për pajtim dhe stabilitet rajonal, si dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që lidhen me trashëgiminë e konflikteve të viteve ’90.
Reagimi i Brukselit vjen në një moment tensionesh të shtuara në rajon, pas ceremonisë së varrimit të Mlladiqit në Beograd dhe kritikave të forta ndërkombëtare ndaj nderimeve që iu bënë atij.

