Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi dyshohet se merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në doza.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në kuadër të kontrolleve dhe veprimeve operative për identifikimin dhe ndalimin e personave të përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në pranga ka rënë shtetasi J. C., 27 vjeç, banues në Paskuqan. Sipas policisë, ai u konstatua në një automjet të parkuar në rrugën “Jordan Misja”, teksa dyshohet se po ndante lëndë narkotike në doza, me qëllim shitjen e tyre në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Në momentin që ka parë shërbimet e policisë, 27-vjeçari ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur nga efektivët.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të automjetit, policia deklaron se ka gjetur doza të dyshuara si kokainë dhe Cannabis Sativa, si dhe përzierje crack dhe municion luftarak.
Materialet procedurale në ngarkim të 27-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.


