Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën (ISF).
Përmes një postimi në platformën X, Hoxha bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF dhe kontributin konkret që vendi synon të japë në terren.
Sipas ministrit, angazhimi në këtë forcë përfaqëson një tjetër dëshmi të orientimit të politikës së jashtme shqiptare drejt promovimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

“Diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim”, u shpreh Hoxha.
Ministri theksoi gjithashtu se, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria mbetet e vendosur të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për të mbështetur përpjekjet që synojnë krijimin e kushteve për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
Hoxha nënvizoi se pjesëmarrja e Shqipërisë në ISF synon të kontribuojë në ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe procesin e rindërtimit, si dhe në krijimin e kushteve për një perspektivë politike të besueshme dhe të qëndrueshme.

“Shqipëria ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare”, deklaroi ministri.
Sipas tij, kontributi në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën është një vijim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe dëshmi e bindjes se edhe vendet e vogla mund të japin një kontribut të rëndësishëm në përballimin e sfidave ndërkombëtare.
“Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, përfundoi Hoxha.


