Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një tjetër hartë që ka tërhequr vëmendjen, duke paraqitur Meksikën, Kanadanë dhe Groenlandën si pjesë të Shteteve të Bashkuara.
Harta u publikua nga Trump në rrjetin e tij social Truth Social dhe tregon flamurin amerikan të shtrirë jo vetëm mbi territorin e SHBA-së, por edhe në pjesë të mëdha të Kanadasë, Groenlandës dhe Meksikës. Në zona të tjera të rajonit shfaqen gjithashtu elemente me motive amerikane.
Trump nuk ka dhënë asnjë shpjegim apo koment që shoqëronte publikimin e hartës.
Postimi vjen vetëm një ditë pasi presidenti amerikan publikoi një tjetër grafik, në të cilin paraqitej një ndryshim simbolik i emërtimit të shtetit amerikan New Mexico, duke hequr fjalën “Mexico” dhe duke e zëvendësuar me “America”.

Administrata Trump ka ndërmarrë më herët edhe hapa për ndryshimin e emërtimeve gjeografike. Në janar 2025, Trump urdhëroi përdorimin e emërtimit “Gjiri i Amerikës” në vend të “Gjiri i Meksikës”, ndërsa më 27 gusht nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikonte riemërtimin e Liqenit Ontario si “Liqeni Amerika”.
Në fokus të politikës së administratës amerikane ka qenë gjithashtu Groenlanda, territor autonom i Mbretërisë së Danimarkës, ndaj të cilit Trump ka shprehur vazhdimisht interes për kontrollin e tij.
Ndërkohë, Uashingtoni ka vijuar të rrisë presionin ekonomik dhe politik ndaj Kubës, përmes sanksioneve dhe masave të tjera ndaj qeverisë në Havana.
Publikimi i fundit i hartës nga Trump vjen në një periudhë tensionesh dhe debatesh të vazhdueshme mbi ambiciet territoriale dhe gjeopolitike të administratës amerikane.


