
Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka reaguar ashpër pas barazimit 3-3 me Besën në javën e parë të Kategorisë së Parë, duke kundërshtuar vendimet e arbitrimit dhe mënyrën si po zhvillohet futbolli shqiptar. Idrizi kërkon ndërhyrjen e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe mbledhjen e Asamblesë për të diskutuar situatën në futbollin shqiptar.
Sipas Idrizit, problematika me arbitrimin nuk është e re për Flamurtarin. Ai kujtoi edhe një ndeshje të kaluar ndaj Dinamos, ku sipas tij një penallti e dhënë në atë takim ndikoi në objektivin e skuadrës për ngjitjen në kategorinë më të lartë.
“Ka 3 vjet rresht ndodh e njëjta gjë. Ju kujtohet para 3 vitesh me Dinamon, na dha një penallti që nuk ekzistonte, nuk shkuam dot një kategori më lart.”-u shpreh Idrizi.
Kreu i Flamurtarit tha se kërkesa e tij nuk lidhet vetëm me një episod të veçantë, por me nevojën për rregulla të qarta dhe një sistem ku klubet të dinë se çfarë standardesh zbatohen.
“Kam 13 vjet kam kërkuar ligjin e sportit. Nuk bëhet! Kam kërkuar ndershmëri në futboll. Dua të di rregullat e lojës cilat janë.”-vijoi më tej.
Idrizi e lidhi reagimin e tij me atë që ndodhi në ndeshjen Besa-Flamurtari, duke pretenduar se kontestimet ndaj arbitrimit janë shfaqur që në javën e parë të sezonit.
“Që ditën e parë dje, ndodhi kjo që ndodhi. E vazhduan atje ku e kishin lënë vitin e kaluar. Atë histori kontestimesh arbitrash, tani e kaluan pak në ekstrem që javën e parë të kampionatit.”-shtoi Idrizi.
Më pas, presidenti i Flamurtarit iu drejtua drejtpërdrejt kreut të FSHF-së, Armand Duka. Idrizi ngriti dy mundësi për përgjegjësinë e drejtuesit të federatës dhe kërkoi që të mblidhet Asambleja.
“Ose Duka është pjesë e lojës të këtij sistemi, ose është jashtë lojës dhe nuk ka asnjë lloj kontrolli në këtë që ndodh. Në të dyja rastet përgjegjësia është e tij drejtpërdrejt.”-ka thënë ai.
Idrizi kërkoi që Duka të thërrasë urgjentisht Asamblenë dhe e la të hapur edhe mundësinë e një votëbesimi.
“Pres që ai urgjentisht të thërrasë Asamblenë. Pse jo dhe të votohet? Ka ardhur koha që Duka të kërkojë shkaqet e situatës, çfarë ndodh.”
Në reagimin e tij, kreu i Flamurtarit përdori edhe një gjuhë të fortë për gjendjen që, sipas tij, ka marrë futbolli në Shqipëri. Ai e lidhi situatën jo vetëm me arbitrimin, por edhe me dhunën, konfliktet dhe grupet e interesit.
“Në Shqipëri futbolli është kthyer dhe është si një luftë bandash. Nuk ke më futboll, nuk ke më rini, ke vetëm sharje, dhunë. Kemi të fortësh, grupe interesi pas të fortësh.”
Idrizi ngriti edhe pyetjen se çfarë mesazhi u përcillet të rinjve nga një klimë e tillë në futboll.
“Në momentin e parë cili është mesazhi që i japim rinisë?! Z. Duka duhet të marrë përgjegjësitë për futbollin shqiptar.”
Flamurtari luan këtë sezon në Kategorinë e Parë, pasi sezonin e kaluar u largua nga Superliga. Barazimi 3-3 me Besën ishte ndeshja e parë e skuadrës vlonjate në kampionatin e ri.



