Si vijoi sherri i nisur në lokal deri te vrasja e 24-vjeçarit në Shkodër…

Shpërndaje

Një konflikt i nisur gjatë natës mes dy të rinjve dyshohet se përfundoi në mënyrë tragjike mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku 24-vjeçari Ylber Luli mbeti i vrarë me armë zjarri. Për ngjarjen, policia ka ndaluar si autor të dyshuar Andri Vulajn.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30, në banesën e familjes Luli. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, Luli dhe Vulaj ishin konfliktuar disa orë më herët në një lokal në zonën e Gjuhadolit.

Pas përplasjes në lokal, rreth orës 05:00, Vulaj dyshohet se është paraqitur në banesën e 24-vjeçarit me pretendimin për të sqaruar konfliktin. Ai dyshohet se kishte me vete edhe një pistoletë.

Situata ka agravuar brenda banesës, ku mes dy të rinjve ka nisur një përleshje fizike. Në konflikt është përfshirë edhe babai i 24-vjeçarit, Qamil Luli.

Sipas policisë, gjatë përleshjes, babë e bir kanë plagosur me thikë Andri Vulajn. Në vijim të konfliktit, ky i fundit dyshohet se ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar drejt Ylber Lulit, duke e lënë të plagosur rëndë. 24-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Pas njoftimit për ngjarjen, në vendin e krimit kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur veprimet hetimore. Vulaj është ndaluar si i dyshuar për vrasjen, ndërsa në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe pistoleta që dyshohet se është përdorur në krim.

Nga hetimet paraprake mësohet se Ylber Luli kishte qëndruar deri në orët e vona të natës jashtë banesës, brenda automjetit të tij, së bashku me një person tjetër. Rreth orës 02:00 ai është futur në shtëpi.

Afërsisht tre orë më vonë, Vulaj dyshohet se ka shkuar në banesën e familjes Luli, ku konflikti mes tyre ka degjeneruar në përleshje fizike, plagosje me thikë dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit.

Policia e Shkodrës vijon hetimet për të dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, përfshirë dinamikën e konfliktit dhe rolin e personave të përfshirë.

Shpërndaje