
Avokatët kanë vendosur bojkotimin pa afat të seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores së re që ndalon përdorimin dhe mbajtjen e celularëve në sallat e gjyqit.
Vendimi është marrë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe hyn në fuqi menjëherë.
Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, ka kundërshtuar rregulloren e re të GJKKO-së, duke argumentuar se dispozitat e saj bien ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, praktikën e Gjykatës së Strasburgut dhe Kodin e Procedurës Penale.
Sipas Haxhisë, Dhoma e Avokatisë i ka drejtuar GJKKO-së një kërkesë zyrtare për rishikimin e rregullores, por deri më 8 shtator nuk ka marrë asnjë përgjigje nga gjykata.
“I kemi dërguar letër GJKKO-së, ku i kemi kërkuar rishikimin e rregullores dhe deri më sot, që është data 8, nuk kemi asnjë reagim nga ky institucion. Të paktën të thotë që e morëm kërkesën. Gjë që tregon mungesë respekti institucional”, është shprehur Haxhia.
Në vendimin e saj, Dhoma Kombëtare e Avokatisë i kërkon GJKKO-së pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të dispozitave të rregullores, duke kërkuar që të garantohet e drejta e mbrojtësit për të mbajtur telefonin në sallën e gjyqit.



