MARATONA “IDRIZ MUÇO 2026” / Saranda mikpriti garën mbresëlënëse të notit, të pranishëm Presidenti FSHN-së, Bashkia dhe Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit
Nga Agron KAJA
Të dielën e 8 shtatorit 2026 në mesditë, Saranda u kthye në “kryeqytetin” e Notit shqiptar. Maratona e Notit “Idriz Muço 2026”, mbledhi në bregun e detit Jon mbi 90 garues, shikues dhe organizatorë. Dhe midis tyre dalloje edhe Presidentin e FSHN-së, Agim Çirakun, tërësisht i përqëndruar në organizimin dhe zhvillimin e garave të kësaj maratone. Një ditë më parë, vetë Presidenti Çiraku deklaroi për gazetën “Telegraf” se ai nuk kishte munguar asnjëherë në këtë Maratonë. Dhe nuk ndodhi ndryshe edhe këtë herë, duke qënë i pranishëm jo vetëm si President i FSHN-së, por edhe si një ish-notar dhe ushtrues i sportit të notit në çdo stinë të vitit. Për Maratonën “Idriz Muço 2026”, ai shprehu konsiderata e vlerësim për masat përgatitore dhe për zhvillimin e garës, duke i cilësuar si emocionale gërshetimin e brezave gjatë kësaj veprimtarie. “Ky fillimshtatori, në Sarandë ishte shumë i bukur, pasi u zhvillua Maratona që mban emrin e të Madhit “Idriz Muço”. Me një mikpritje mbresëlënëse, me organizim korrekt, me rivalitet dhe emocion, kjo Maratonë, si në garë dhe jashtë saj, i gërshetoi brezat që e respektuan veprimtarinë. Ata që garuan ishin nga të gjitha moshat, por më shumë se sa emrat e tyre vlen të veçohet fakti se, nga të gjithë ata dhe ato që hynë në ujë e përfunduan garën. Kishte garë, rivalitet dhe emocion, dhe unë do falenderoja të gjithë për pjesëmarrjen, të gjithë ata shikues që e bënë edhe më të këndshme këtë maratonë, Bashkinë dhe Klubin Shumësportësh në Sarandë, por edhe Shoqatën Kombëtare të Veteranëve të Notit për bukurinë që i dhanë kësaj veprimtarie”, kështu e vlerëson Presidenti i FSHN-së Agim Çiraku, Maratonën “Idriz Muço 2026”, e cila u zhvillua në bregun e detit në Sarandë ditën e dielë paradite. Por jo vetëm si president i federatës së sporteve të ujit, por edhe si vizionar i shtrirjes së këtyre veprimtarive në gjithë Shqipërinë, zoti Çiraku ka edhe një porosi. “Kjo traditë si në Sarandë, në Pogradec apo edhe në Shëngjin, duhet që të zgjerohet edhe në qytete të tjera bregdetare dhe liqenore. Maratonat i japin hijeshi dhe kënaqësi, jo vetëm atyre që garojnë”. Në përfundim, FSHN-ja dhuroi një kupë simbolike për nipin 8-vjeçar të Idriz Muços, Idri Muço.

90 GARUES
Në Maratonën e Sarandës “Idriz Muço 2026”, të gjithë së bashku ishin rreth 90 garues, M+F. Ata përshkruan distancat sipas kategorive të moshave
60 FËMIJË
Pjesëmarrja e fëmijëve në garën e Maratonës “Idriz Muço 2026” në Sarandë ishte e lartë. Këtë vit, pjesëmarrja e tyre deri në 14 vjeç ishte më shumë 60
30 VETERANË
Në Maratonën “Idriz Muço 2026” nuk mungoi pjesëmarrja e veteranëve. Të gjithë ata që garuan, ishin nga Shqipëria, nga Kosova si dhe nga diaspora

FITUESITE MARATONËS
“IDRIZ MUÇO 2026”
Kategoria deri 14 vjeç
FEMRA – 400 m
Evie Asllanaj Stela
MESHKUJ – 400 m
Drini Karanaxha Stela
Kategoria të Rinj-Rritur
FEMRA – 1000 m
Viki Tafrruku Vllaznia
MESHKUJ – 1km
Ediliano Huna Teuta
Veteranët garues
FEMRA – 1 km
2.Jolldës Kito Kosovë
MESHKUJ – 2 km
- Hektor Sinanaj Vlorë
Veteranët e tjerë
Garuan në 600-400-200 m
Tomorr Dano: Fitues dolën të gjithë garuesit!
Një nga veteranët e Notit shqiptar që garoi të dielën në Maratonën “Idriz Muço 2026”, Mjeshtri i Merituar i Sportit, Tomor Dano, u shpreh me konsiderata e vlerësime të larta për organizimin e zhvillimin e kësaj veprimtarie. “Maratona kaloi shumë mirë, që nga organizimi shumë i mirë, në zhvillimin me emocion, e cila kulmoi me garimin e brezave. Unë mendoj se fitues ishin të gjithë ata që garuan në këtë maratonë, por emocionet që na sjell janë më të veçantat. Do jem gjithmonë në këtë garë që i bashkon brezat, risjell kujtime e mbresa nga karriera”.

GARUESIT NË MOSHAT EKSTREME
Garuan në Maratonë: Fëmijë, të rinj, të rritur dhe veteranë
Në garat e maratonës në Sarandë garuan fëmijë, të rinj, të rritur dhe veteranë. Në kategoritë e garimit: Fëmijë deri në 14 vjeç dhe të Rritur, garuan edhe notarë profesionistë, të cilët edhe i fituan garat respestive. Për Femra, notarja shkodrane Viki Tafrruku doli fituese në distancën 1 km, e po kështu edhe notari kampion i Teutës, Ediliano Huna, i cili në kategorinë Meshkuj për të Rinj dhe të Rritur, doli fitues i kësaj maratone. Tek veteranët, fitues janë dy emra të rinj: Jolldës Kito nga Kosova dhe Hektor Sinanaj nga Vlora.

Djali i Idriz Muço, Elsidi: Mirënjohje për Pupin, Babain dhe Zotin!

Emri i Idriz Muços e ktheu Sarandën në “kryeqytet” të notit shqiptar. Maratona solli garë, emocion, vlerësime, mbresa e kujtime

Në ditën e zhvillimit të Maratonës “Idriz Muço 2026”, pinjollin e këtij mbiemri, djalin e Idrizit, Elsidin së bashku me djalin e tij Idrin, e dalloje qartazi në emocionet që transmetonin. Duke qënë në krah organizatorëve, në emër të familjarëve ai i falenderoi për këtë veprimtari, e cila i ka bërë krenarë të gjithë në familjen “Muço”. “Për këtë veprimtari, në veçanti kam mirënjohje për Pupin, Zotin dhe babain. Është mirënjohje dhe respekt për gjithçka që ai i dha sportit të Notit në Sarandë, dhe në gjithë Shqipërinë. Ndjehemi krenarë për këtë respekt, dhe do falenderoja Shoqatën e Veteranëve të Notit, Presidentin e Federatës FSHN-së Agim Çiraku, si dhe Bashkinë e Sarandës. Kjo veprimtari që po kthehet në traditë, na jep detyrimin moral që të jemi bashkëpunues për këtë event”, kështu e përjetoi këtë Maratonë 2026, djali i të Madhit Idriz Muço, Elseid Muço.
Mjeshtri i Madh Sadik Mema: Saranda mikëpritëse e traditës

Edhe këtë vit Saranda gumëzhiu në bregun dhe valët e Detit Jon. Ishin maratonistët e kësaj gare të përvitshme me emrin e të Madhit “Idriz Muço”, e cila kishte afruar notarë dhe notare sarandiotë dhe nga qytete te tjera të Shqipërisë, midis tyre ishin edhe shumë veteranë të këtij sporti, Mjeshtra e Mjeshtra të Mëdhenj. Të gjithë i dhanë bukurinë dhe hijeshinë kësaj maratone, dhe Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Veteranëve të Notit, Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, tregoi për gazetën “Telegraf” gjithçka nga kjo veprimtari. “Saranda është shumë mikpritëse, jo vetëm kur bëhet fjalë për notin, që në këtë qytet ka patur kampionë e mjeshtra të mëdhenj. Ishte shumë e veçantë pjesëmarrja e qytetarëve dhe e pushuesve të shumtë para, gjatë e pas maratonës, të cilët i dhanë një bukuri festive kësaj veprimtarie. Garuesit ishin nga Tirana, nga Shkodra, nga Vlora, nga Durrësi, Elbasani dhe nga Saranda si mikëpritëse, që kishin shumë fëmijë në garë. Por garuan edhe notarë nga Kosova dhe nga diaspora”, kështu e nisi bisedën Mjeshtri i Madh, Sadik Mema, i cili më pas tregoi edhe për fituesit e kësaj maratone. “Gara shkoi shumë mirë, deti ishte i qetë si një pishinë në natyrë, por edhe moti sikur i dha ndriçimin gjithçkaje. Ato nuk e ndalën “marrshimin” e gjithë garuesve, që iu afruan numrit 90 në garë, më shumë se 60 fëmijë dhe 30 veteranë”. Si në çdo veprimtari që organizohet nga FSHN-ja, apo edhe në ato me nisiativën e SHKVN në Shqipëri, Sadik Mema tregon se në mbyllje të kësaj gare u dhanë edhe Kupa për fituesit, çertefikata Mirënjohje për çdo garues. “Në sport, çdo fitues shpërblehet edhe me mirënjohje. Kështu bëmë edhe këtë herë, ku për çdo fitues u dhanë Kupa dhe Medalje. Por e veçanta ishte se për çdo garues, pavarsisht se ku u rendit në garë. Një kupë e veçantë iu dha 8 vjeçarit Idri Muço, nipi i të Madhit Idriz Muço. Të gjithë e zbukuruan këtë veprimtari, duke na lënë me “kokën pas” për shtatorin e vitit të ardhshëm”, kështu e përshkroi Sadik Mema, Mjeshtër i Madh, Maratonën e Notit “Idriz Muço 2026”, e cila u zhvillua më 6 shtator në qytetin e Sarandës. Maratona në Sarandë është zhvilluar periodikisht, ndërsa me emrin “Idriz Muço” ishte sezoni i pestë.
Kupë e veçantë 8 vjeçarit Idri Muço

Në përfundim të Maratonës “Idriz Muço 2026”, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, i dhuroi një kupë simbolike nipit të Idriz Muços, 8 vjeçarit Idri Muço, i cili duket se e trashëgon emrin e gjyshit të tij ish-kampion në Notin shqiptar. Ai ishte garuesi me moshën më të vogël në këtë Maratonë që i kushtohet gjyshit të tij, Idriz Muço.
Albert Çakuli: Vlerësim, nderim dhe respekt për Maratonën “Idriz Muço”

Inspektori i sporteve në Bashkinë e Sarandës, Albert Çakuli, e ka vlerësuar këtë veprimtari si të veçantë. Ai është pjesë e një familje futbollistësh në Sarandë, që nga babai i tij, Mjeshtri Vangjel Çakuli, por tregohet vendali për sportin më prioritar në qytetin e Sarandës. “Sporti i notit në Sarandë është i dashur, i bukur dhe tërheqës për çdo moshë. Dhe aq më shumë kur ka të tilla veprimtari si kjo Maratonë me emrin e një personaliteti të madh shqiptar “Idriz Muço”, e cila tashmë është kthyer në një veprimtari sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare, kur kemi parasysh që aty marrin pjesë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga diaspora shqiptare. Të gjithë ata që garuan u ndjenë të rivalizuar si me valët e detit, ashtu edhe me njëri-tjetrin. Gjithçka e bukur dhe me emocion, e cila nisi para dhe vazhdoi edhe pas garës. Duhen falenderuar familjarët e Idrizit, të cilët së bashku me të ardhurit nga Tirana, me organizimin e mirë, i dhanë bukuri kësaj veprimtarie”.

Saranda mbylli stinën e verës për Notin shqiptar
Me Maratonën e notit “Idriz Muço 2026”, sporti i Notit në Shqipëri mbylli zyrtarisht veprimtaritë verore në pishinat 50 m dhe në det të hapur. Tashmë të gjithë notarët e trajnerët e tyre përgatiten për garat dimërore, të cilat tradicionalisht zhvillohen në pishinën 25 m të Resortit “Te Stela”, në Tiranë. Në kalendarin 2026 janë edhe Kupa Pavarësia, më 22 e23 Nëntor, dhe Kupa “Klavio Meça” më 20 Dhjetor. Të dyja do të zhvillohen në pishinën 25 m “Te Stela” nëTiranë.























