Renditja në PISA, Hoxha nga ORCA: Rezultatet alarm për institucionet, gjendja në arsimin parauniversitar shumë e dobët

Rezultatet e reja të testit ndërkombëtar PISA 2025 kanë sjellë edhe një tjetër goditje për sistemin arsimor të Kosovës. Nxënësit e Kosovës vazhdojnë të mbeten nën mesataren ndërkombëtare në matematikë, lexim dhe shkencë, pavarësisht viteve të reformave, strategjive dhe premtimeve për përmirësimin e cilësisë, shkruan Periskopi.
Për rezultatet e fundit dhe përgjegjësinë institucionale për gjendjen në arsim, për Periskopin ka folur Dibran Hoxha nga Organizata për Cilësi në Arsim (ORCA).
Hoxha ka thënë se rezultatet e PISA-s tregojnë se gjendja në arsimin parauniversitar vazhdon të jetë shumë e dobët dhe se gjatë dhjetë viteve nuk është arritur përmirësim i qëndrueshëm.
“Rezultatet e PISA-s tregojnë se gjendja në arsimin parauniversitar mbetet shumë e dobët dhe se në dhjetë vjet nuk është arritur përmirësim i qëndrueshëm." ka thënë Hoxha në njq përgjigjie për Periskopin.
Sipas tij përgjegjësia është institucionale dhe se Ministria e Arsimit bartë përgjegjësinë kryesore.
"Përgjegjësia është institucionale. Ministria e Arsimit ka përgjegjësinë kryesore për politikat dhe drejtimin e sistemit, komunat për menaxhimin e shkollave dhe cilësinë në nivel lokal, ndërsa edhe SBASHK-u duhet të marrë përgjegjësinë e vet në proceset që lidhen me cilësinë dhe llogaridhënien në arsim.”, ka thënë ai.
Hoxha ka folur edhe për problemet që, sipas tij, kanë penguar ndryshimet e thella në sistemin arsimor dhe për nevojën që institucionet të ndërmarrin hapa konkretë.
“Problemi kryesor është mungesa e dijes, vendimmarrjes dhe guximit për të ndërmarrë ndryshime të thella. Për vite me radhë janë bërë ndërhyrje të pjesshme, pa prekur problemet kryesore të sistemit.", është shprehur Hoxha për Periskopin.
Tutje ai ka thënë se rezultatet e PISA-s, duhet të shërbejnë si alarm për institucionet përgjegjëse dhe të pasohet me masa konkrete për përmirësimin e cilësisë në arsim.
"Këto rezultate duhet të jenë alarm për institucionet. Duhet të punohet seriozisht në cilësinë e mësimdhënies, vlerësimin e mësimdhënësve dhe nxënësve, menaxhimin e shkollave, llogaridhënien dhe trajtimin e mungesave nga mësimi.”, ka përfunduar Hoxha.
Ndryshe sipas rezultateve të publikuara të martën nga OECD, nxënësit 15 vjeçarë të Kosovës kanë marrë vetëm 350 pikë në matematikë, 340 pikë në lexim dhe 357 pikë në shkencë.
Veçanërisht shqetësuese është matematika. Në PISA 2022 Kosova kishte 355 pikë, ndërsa në testin e vitit 2025 ka rënë në 350 pikë, pesë pikë më pak.
As në lexim nuk ka përmirësim. Nga 342 pikë në vitin 2022, rezultati ka rënë në 340 pikë. Vetëm në shkencë rezultati ka mbetur i pandryshuar, në 357 pikë.
Rezultatet janë alarmante pasi që shihen si vazhdimësi e një trendi shumëvjeçar.
OECD kishte konstatuar që në PISA 2022 se rezultatet e Kosovës kishin rënë krahasuar me vitin 2018 në të tri fushat matematikë, lexim dhe shkencë. Në periudhën 2015–2022 ishte rritur gjithashtu përqindja e nxënësve që nuk arrinin as nivelin bazë të kompetencës në të tri lëndët. Në vitin 2022, vetëm 15 për qind e nxënësve kosovarë arrinin të paktën nivelin bazë në matematikë, krahasuar me 69 për qind mesatarisht në vendet e OECD’së.
Në lexim këtë prag e arrinin vetëm 17 për qind, kundrejt 74 për qind në OECD, ndërsa në shkencë vetëm 21 për qind, krahasuar me 76 për qind në OECD.
Kjo do të thotë se problemi i Kosovës nuk është më vetëm renditja e dobët në një test ndërkombëtar. PISA mat nëse 15-vjeçarët janë në gjendje ta përdorin dijen për të zgjidhur probleme, për të menduar në mënyrë kritike dhe për t'u përballur me situata reale.
Në PISA 2025 morën pjesë 6,632 nxënës 15-vjeçarë nga 213 shkolla të Kosovës. Testimi në Kosovë është zhvilluar nga 10 deri më 30 maj 2025./AlbinaZariqi-PERISKOPI/
Testi PISA 2025, alarm për arsimin, nxënësit kosovarë me rezultate katastrofale












