Detaje të reja janë zbardhur nga takimi i thirrur sot nga kryeprokurori Olsian Çela, në lidhje me ngërçin e krijuar për pagat e gjyqtarëve. Mësohet se në mbledhje kanë marrë pjesë drejtuesit e prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.
Kujtojmë se më herët ditën e sotme, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla njoftoi se projektligji për pagat e magjistratëve do të shqyrtohet nga Kuvendi në seancën e 17 shtatorit.
I gjithë ngërçi u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda 31 korrikut formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese. Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Ministria e Financave nuk ekzekutoi listë-pagesat me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës është kompetencë e Kuvendit. Për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/