Kryefjala Logo

Mateo Deda del nga rreshti i aktorëve në familje. Hedh hapin e madh në futboll

7 Shtator, 2026 | 9:23 pm

Familja Deda është prej dekadash e lidhur me skenën dhe humorin shqiptar, por Mateo Deda ka zgjedhur të dalë nga “rreshti” i aktorëve të familjes dhe të ndërtojë rrugën e tij në një fushë krejt tjetër.

Djali i aktorit Julian Deda dhe nipi i të ndjerit Zef Deda, vetëm 17 vjeç, ka hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën sportive, duke debutuar në futbollin e të rriturve me fanellën e Korabit të Peshkopisë.

Mateo u aktivizua si titullar në ndeshjen ndaj Orikut, në javën hapëse të Kategorisë së Parë. Korabi fitoi takimin 1-0, ndërsa futbollisti i ri qëndroi në fushë për 62 minuta.

I lindur më 7 dhjetor 2008 në Tiranë, Mateo e ka nisur futbollin që në moshë të vogël. Gjatë formimit të tij ka kaluar në disa akademi, mes të cilave Juventus Academy Tirana, Young Stars dhe Internacional Tirana, për të vijuar më pas me ekipet e moshave të KF Tiranës dhe Dinamo City U19.

Pozicioni i tij kryesor është në repartin ofensiv, si sulmues krahu i djathtë. Talenti i tij ka tërhequr vëmendjen edhe në nivel kombëtar, pasi Mateo është grumbulluar me përfaqësueset shqiptare të moshave.

Një moment veçanërisht emocional në rrugëtimin e tij erdhi në fund të vitit 2023. Pasi shënoi me fanellën kuqezi nga një goditje dënimi rreth 25 metra larg portës, Mateo ia kushtoi golin gjyshit të tij, Zef Deda, i cili ishte ndarë nga jeta pak kohë më parë.

Tashmë 17-vjeçari po kalon nga futbolli i akademive te ai i të rriturve. Ndërsa gjyshi dhe babai i tij ndërtuan emrin në skenë dhe ekran, Mateo Deda duket se ka zgjedhur fushën e blertë për të shkruar historinë e tij.

Të ngjashme