Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se Shqipëria duhet të përshpejtojë përfshirjen e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në ekonomi, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe ngushtimin e hendekut me Bashkimin Europian.
Teksa ishte e pranishme së bashku me kryeministrin Edi Rama në Forumin e Dytë të Inovacionit, Ibrahimaj u ndal te zhvillimi i sektorit të teknologjisë së informacionit, duke theksuar rëndësinë e kapitalit njerëzor, aftësive profesionale, infrastrukturës, aksesit në tregje dhe ndërkombëtarizimit të produkteve shqiptare të teknologjisë.
“Rreth kapitalit njerëzor, aftësive të kërkuara për këtë sektor, që është një sektor që horizontalisht prek gjithë zhvillimin ekonomik. Diskutuam për infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e këtij sektori, diskutuam gjithashtu për aksesin në tregje dhe për ndërkombëtarizimin e produkteve të teknologjisë së informacionit shqiptare”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas Ibrahimajt, gjatë vitit të fundit situata ka ndryshuar ndjeshëm, pasi inteligjenca artificiale tashmë ka prekur pothuajse çdo aspekt të jetës dhe ekonomisë.
“Sot, një vit pas, jemi në një tjetër moment. Jemi të ndërgjegjshëm që AI ka prekur çdo komponent të jetës, po ndryshon mënyrën si ofrohen shërbimet, aftësitë e kërkuara për t’iu përgjigjur kësaj sfide dhe duhet të ndryshojë gjithë ekonominë shqiptare”, u shpreh ajo.
Ministrja vuri në dukje peshën që kanë bizneset e vogla dhe të mesme në ekonominë shqiptare, duke theksuar se ato përbëjnë pjesën dërrmuese të ndërmarrjeve në vend. Megjithatë, sipas saj, pavarësisht rolit të rëndësishëm që kanë këto biznese, niveli i përshtatjes së tyre me teknologjinë e informacionit dhe inteligjencën artificiale mbetet i ulët.
“Sot 99.8% të ndërmarrjeve i kemi biznese të mesme dhe të vogla, ato përbëjnë rreth 80% të punësimit dhe 78% të vlerës së shtuar në ekonomi. E megjithatë niveli i adaptimit të bizneseve të mesme e të vogla të teknologjisë së informacionit dhe AI është shumë i ulët. Kemi një paradoks të madh, sepse kemi një popullatë që ka akses në shërbimet digjitale. E gjithë popullata di të përdorë mjetet elektronike, por bizneset mbeten me nivele shumë të ulëta të adaptimit”, deklaroi ministrja, ndërsa tha se vetëm 9% e sipërmarrjeve shqiptare e përdorin Inteligjencën Artificiale.
“Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare mund të përdorin AI apo janë duke e përdorur AI. Ndërkohë, ne vijojmë të jemi një vend i cili ka nivelin e produktivitetit të ulët, gati 1/3 e mesatares së BE-së. 40% e bizneseve që kanë faqe interneti e përdorin atë për shitje, ndërkohë që potenciali është shumë më i lartë. Rreth kapitalit njerëzor, aftësive të kërkuara për këtë sektor, që është një sector që hoorizontalisht prek gjithë zhvillimin ekonomik”, theksoi Ibrahimaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/