Kostot e energjisë, ujësjellësit shkojnë drejt investimeve në fotovoltaikë, projekti 2 mln euro

Fatura e energjisë elektrike, një nga kostot më të mëdha për ujësjellësit që mbështeten te pompimi, po e shtyn keta te fundit drejt investimeve në fotovoltaikë.
Një rast si ky është ai i Ujësjellësit të Elbasanit i cili së fundmi lidhi një kontratë prej 197.1 milionë lekësh, rreth 2 milionë euro, për rritjen e eficiencës dhe instalimin e paneleve fotovoltaike.
Investimi synon të ulë koston e energjinë që përdoret për pompimin e ujit, përmes ndërhyrjeve në pajisjet elektromekanike dhe prodhimit të energjisë nga burime fotovoltaike. Raporti teknik i projektit tregon se vetëm sistemet Mengel/Frigorifer, Krastë e Vogël, Cërrik dhe Peqin përfaqësojnë rreth 75% të konsumit të energjisë së sistemeve të furnizimit me ujë në rajonin e Elbasanit. Në fazën e auditimit, ndërhyrjet e propozuara synonin uljen e konsumit përmes pompave më eficiente dhe energjisë diellore.
Një nga ndërhyrjet e detajuara është ajo në Krastë të Vogël, ku projekti parashikon zëvendësimin e pompave dhe rehabilitimin e infrastrukturës së stacionit të pompimit. Në fazën e projekt-idesë, vetëm përmirësimi i pompimit vlerësohej të sillte një reduktim prej 34.2% të energjisë së konsumuar nga sistemi, me kursim rreth 428 MWh në vit, të barasvlershëm me rreth 50,500 euro në vit.
Panelet fotovoltaike shtojnë një komponent të dytë të kursimit. Raporti ka modeluar instalime që mbulojnë 25%, 50% dhe 100% të energjisë neto të konsumuar në Krastë të Vogël. Për variantin që mbulon 25% të konsumit, projekti i parafizibilitetit parashikonte, së bashku me ndërhyrjet në pompa, një reduktim prej 50.6% të konsumit të energjisë, ose rreth 634 MWh kursim në vit.
Nxitja drejt investimeve në fotovoltaikë
Zgjedhja e fotovoltaikëve lidhet edhe me profilin e sektorit. Ujësjellësit janë konsumatorë të mëdhenj të energjisë pasi një pjesë e konsiderueshme e ujit prodhohet dhe transportohet me ngritje mekanike.
ERRU në raportet e tij vjetore e cilëson energjinë elektrike si një nga zërat kryesorë të kostove operative dhe ka rekomanduar auditime të eficiencës, identifikimin e pajisjeve me konsum të lartë dhe investime në pajisje më eficiente e burime të rinovueshme.
Pesha e kësaj kostoje shihet edhe te subvencionet. Sipas Raportit Vjetor 2025 të ERRU, 88.8% e fondit prej 350 milionë lekësh të subvencioneve për sektorin u përdor për mbulimin e kostove të energjisë elektrike. Elbasani ishte mes gjashtë shoqërive që përfituan nga kjo skemë, e destinuar për operatorët ku mbi 75% e ujit prodhohet me ngritje mekanike./ N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









