Tuesday / September 8 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Banka Lajmet Kryesore Nga Vendi

BSH dhe BERZH prezantojnë Kodin për Financimin e Grave Sipërmarrëse

Share Share Icon

Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) organizuan sot ceremoninë e lançimit të “WE Finance Code Albania – Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse”, duke shënuar fillimin e një partneriteti kombëtar për të avancuar aksesin në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) të drejtuara apo në pronësi të grave.

Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, e vlerësoi këtë nismë si një angazhim të rëndësishëm që synon të mbështesë zhvillimin e sipërmarrjes së grave, përmes një qasjeje të bazuar në të dhëna, bashkëpunimit institucional dhe veprimeve konkrete.

Në Shqipëri, Banka e Shqipërisë ka marrë rolin e koordinatores kombëtare, duke udhëhequr ndërtimin e një ekosistemi të përbashkët të institucioneve publike dhe financiare që angazhohen për një treg financimi më gjithëpërfshirës.

“Gjatë viteve të fundit, kemi investuar në modernizimin e infrastrukturës financiare dhe të sistemeve të pagesave, në zgjerimin e aksesit në shërbimet financiare, në forcimin e edukimit financiar dhe në përmirësimin e cilësisë dhe përdorimit të të dhënave financiare.

Në këtë drejtim, Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse e plotëson dhe e forcon këtë përpjekje, duke e vendosur aksesin në financë për gratë sipërmarrëse në një kuadër më të strukturuar, të mbështetur në të dhëna dhe në bashkëpunimin e aktorëve kryesorë të ekosistemit financiar.

Për Bankën e Shqipërisë, kjo përfaqëson një mundësi për të kontribuuar, brenda mandatit të saj, në krijimin e një forme të re të inteligjencës së tregut (market intelligence) mbi këtë segment të ekonomisë,” tha Sejko.

Një nga rezultatet konkrete të nismës është krijimi i panelit analitik kombëtar të financimit të MSME-ve. Ky instrument krijon një bazë të re njohurie për tregun, duke bërë të mundur analizimin e integruar të informacionit mbi kreditë dhe depozitat me karakteristikat e bizneseve – si gjinia e pronësisë, madhësia e ndërmarrjes, sektori ekonomik, rajoni dhe forma juridike.

Paneli do të jetë i aksesueshëm për publikun në faqen zyrtare të Bankës së Shqipërisë dhe do të shërbejë si një instrument i ri për analizë, transparencë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

“Ky përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tabloje më të qartë dhe më të krahasueshme të financimit të grave sipërmarrëse në Shqipëri. Për ne, rëndësia e kësaj qasjeje qëndron pikërisht këtu: të kemi një bazë të besueshme për të kuptuar më mirë realitetin, për të identifikuar boshllëqet dhe për të matur progresin me kalimin e kohës.

Dhe pikërisht në këtë pikë, të dhënat marrin një rëndësi që shkon përtej statistikës: ato shndërrohen në themelin e dialogut dhe vendimmarrjes së informuar. Për institucionet publike, kjo nënkupton një bazë më të fortë për hartimin e politikave të mbështetura në evidencë.

Për institucionet financiare, do të thotë një kuptim më i qartë i madhësisë, karakteristikave dhe nevojave të këtij segmenti. Dhe mbi të gjitha, krijon mundësinë që progresi të matet përmes të dhënave dhe jo vetëm përmes perceptimeve. Ky dimension është veçanërisht i rëndësishëm për sektorin financiar. Institucionet financiare kanë nevojë për informacion të besueshëm përpara se të ndërmarrin vendime për produkte, procese dhe tregje të reja.

Sa më mirë të kuptojmë performancën dhe karakteristikat e grave sipërmarrëse, aq më e lehtë bëhet të kalojmë nga një segment i perceptuar përmes informacionit të kufizuar, në një treg të kuptuar më mirë dhe me potencial të identifikueshëm.

Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse e vendos këtë përpjekje mbi tre shtylla të ndërlidhura: Udhëheqje institucionale, Të dhëna dhe Veprim. Për mua, këto nuk janë tre elemente të veçuara, por hallka të një zinxhiri të vetëm,” u shpreh Guvernatori.

Në vijim të ceremonisë u zhvillua një panel diskutimi me pjesëmarrjen e Zëvendësguvernatores së Dytë të Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, dhe të përfaqësuesve të sektorit bankar dhe të institucioneve publike, ku u diskutua se si bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përdorimi i të dhënave mund të mbështesin zhvillimin e produkteve financiare më të përshtatshme dhe politikave më efektive për sipërmarrjen e grave.

Sipas Bankës së Shqipërisë, lançimi i “WE Finance Code Albania” shënon fillimin e një procesi afatgjatë, në të cilin institucionet nënshkruese do të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, për të monitoruar progresin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri.

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

PISA 2025/ Shqipëria përmirësohet në matematikë dhe shkencë, por rezultatet kanë kufizime

Nxënësit 15-vjeçarë në Shqipëri vijojnë të mbeten dukshëm pas mesatares së vendeve të OECD-së në aftësitë bazë, ndonëse rezultatet e PISA 2025 e po...

59 minutes më parë 6 Min Lexim

Inflacioni 3.2% në gusht, nga ushqimet dhe karburantet

Rritja e çmimeve u zbuti disi në gusht është përshpejtuar në gusht, duke u rritur  me 3.2%, nga 3.4% në korrik.  Ky është muaji i tretë radhazi që ...

2 hours më parë 3 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!