Udhëtime në vjeshtë, ja destinacionet e preferuara për pushime në Europë

Po planifikoni një arratisje europiane këtë vjeshtë? Pse të mos frymëzoheni nga ekipi i Euronews Travel…
Harrojeni trishtimin për fundin e verës. Vjeshta mund të jetë një nga periudhat më të mira të vitit për të udhëtuar në Europë, me më pak turma, çmime më të ulëta dhe destinacione që në këtë stinë shfaqin atmosferën e tyre më të veçantë. Nga shëtitjet në ajrin e freskët të fshatit dhe ngjyrat e zjarrta të vjeshtës, te kafenetë e ngrohta dhe festimet sezonale, këto janë udhëtimet që ekipi i Euronews Travel ka në listën e dëshirave për muajt e vjeshtës…
Saskia O’Donoghue: Pse zgjedh Bavarinë dhe Maltën
Nëse duhet të jem e sinqertë, vjeshta është pa diskutim stina që më pëlqen më pak gjatë vitit, me pemët që ngadalë humbasin gjallërinë dhe netët që bëhen gjithnjë e më të gjata. Mendoj se kjo antipati ndaj stinës lidhet me faktin se sa e zymtë është ajo në Angli, ku jetoj. Megjithatë, kohët e fundit jam përpjekur ta përqafoj vjeshtën duke e kaluar në vende të tjera, që dinë vërtet si ta bëjnë të bukur këtë stinë.
Vitin e kaluar vizitova Çekinë dhe Nova Scotia-n në Kanada, dy vende që arrijnë ta bëjnë vjeshtën shumë të këndshme. Këtë vit po planifikoj të shkoj në Bavari, kur turmat e verës të jenë pakësuar dhe peizazhi të ketë marrë nuanca ari, portokalli dhe të kuqe të thellë.
Pavarësisht rezervave të mia ndaj vjeshtës, do t’i kaloja me kënaqësi ditët duke shëtitur nëpër Mynih, duke kaluar nga një birrari e ngrohtë te tregjet e qytetit, përpara se të nisesha drejt jugut, drejt maleve dhe, sigurisht, kështjellave.
Neuschwanstein mund të duket si një zgjedhje disi e parashikueshme në listën e vendeve që duhen parë patjetër, por nuk besoj se do të lodhesha ndonjëherë duke parë diçka kaq spektakolare të rrethuar nga ngjyrat e vjeshtës.
Shëtitje të gjata, të pasuara nga ushqime të bollshme bavareze, një pije vendase dhe një vend mjaftueshëm i ngrohtë për t’u rehatuar pranë një zjarri? Kjo tingëllon shumë pranë pushimeve ideale të vjeshtës – dhe ndoshta mund të më kthejë edhe mua në një adhuruese të kësaj stine.
Nëse vazhdoj ta urrej, atëherë do të kthehem në Maltë, ku kam kujtime të bukura duke marrë rreze dielli në nëntor dhe ku dielli perëndon në një orë që nuk të fut në depresion!
Dianne Apen-Sadler: Pse zgjedh Letoninë
Si gazetare udhëtimesh, më kërkohet vazhdimisht të jap rekomandime për vendet e mia të preferuara në Europë dhe, në nëntë nga dhjetë raste, do të flas ose për ndonjë vend në Ballkan – mendoni më shumë për Beogradin dhe Shkupin sesa për Budvën dhe Splitin – ose për vendet baltike.
Me qendrën e saj piktoreske të qytetit, të përfshirë në listën e UNESCO-s, muzetë e shkëlqyer dhe birraritë artizanale fantastike, kryeqyteti i Letonisë, Riga, i ka të gjitha tiparet e një destinacioni të shkëlqyer për një fundjavë. Dhe është një qytet që mund të shijohet po aq mirë në kulmin e verës sa edhe në mes të dimrit – ose, për qëllimet e këtij artikulli, në vjeshtë.
Por vendi që mezi pres të vizitoj gjatë sezonit të ngjyrave të vjeshtës është Sigulda, e njohur si “kryeqyteti i vjeshtës” i Letonisë, rreth 45 minuta larg Rigës me tren.
Në tetor, brigjet e lumit Gauja shndërrohen në një peizazh me nuanca portokalli – që, rastësisht, është edhe ngjyra ime e preferuar! – ndërsa teleferiku i Siguldës dhe Kalaja e Turaidës ofrojnë pikat më të mira për ta soditur panoramën.
Kujt i duhet New England-i kur kemi vende të tilla këtu, në Europë?
Mike Starling: Pse zgjedh Skocinë
Nuk dua të dukem si një britanik që nuk largohet dot nga vendi i vet, por, si dikush që prej shumë vitesh jeton jashtë Mbretërisë së Bashkuar, është gjithmonë bukur të kthehesh në atdhe. Megjithatë, edhe pse jam anglez, do të thosha: harroni Londrën, Cotswolds dhe Lake District dhe nisuni “në veri të kufirit”.
Skocia është e bukur në çdo periudhë të vitit, por në vjeshtë është e përsosur – veçanërisht nëse dëshironi të kaloni kohë në natyrë. Sigurisht, mund t’ju zërë ndonjë rrebesh shiu – ose pesë – por ngjyrat e vjeshtës në pemë, lugina dhe liqene e bëjnë çdo ngjitje, shëtitje apo aventurë në natyrë absolutisht të vlefshme. Pastaj është edhe golfi… vërtet spektakolar.
Gjithashtu, pasi të keni përfunduar 18 vrimat e golfit ose të keni “pushtuar një Munro” – domethënë të keni arritur majën e një mali skocez të paktën 3,000 këmbë (914.4 metra) të lartë – mund të shijoni mikpritjen e ngrohtë të vendit. Dhe këtu “e ngrohtë” është fjalë për fjalë. Mendoni për zjarret me dru nëpër pub-e, ushqimin e bollshëm dhe një gotë uiski. Çfarë mund të mos ju pëlqejë?
Fakhriya M. Suleiman: Pse zgjedh Monakon
Joshja luksoze e Monakos më ka tërhequr gjithmonë. Por, duke qenë një principatë në Rivierën Franceze me një sipërfaqe prej vetëm dy kilometrash katrorë, turmat e verës? Ato më tërheqin shumë më pak. Ndërsa një udhëtim jashtë sezonit të pikut, në Monako gjatë vjeshtës? Këtë nuk do ta refuzoja.
Kam dëgjuar shumë për kënaqësinë e eksplorimit të këtij qytet-shteti pa nxitim, në këmbë. E imagjinoj veten duke admiruar arkitekturën futuriste të Mareterra-s ose ngjyrat e gjalla të Kopshtit të Trëndafilave Princesha Grace në Fontvieille.
Edhe pse jam gjithmonë e gatshme për përvoja të reja – si, për shembull, të vizitoj Monakon për herë të parë – duhet ta pranoj se, në mënyrë disi paradoksale, më pëlqen edhe rehatia dhe ajo që njoh. E di se do të ndihesha menjëherë si në shtëpi duke kaluar nga parajsa e blerjeve në Doha tek ajo e Monte Carlos. Aventura ime në këmbë do të vazhdonte drejt shëtitores së dyqaneve, ku do të më hapej oreksi përpara se të provoja skenën gastronomike të Monte Carlos.
Blue Bay i shefit Marcel Ravin, me dy yje Michelin, u ofron vizitorëve një eksperiencë që ndërthur kuzhinën e Karaibeve me atë mesdhetare, të shoqëruar nga pamja e detit.
E vetmja gjë që mungon është bileta e avionit.
Maya Abu Hajleh: Pse zgjedh Italinë
Italia është një nga vendet që kam dashur gjithmonë ta vizitoj. Më pëlqen ideja e të ecurit nëpër rrugë, e provimit të ushqimeve të ndryshme, e qëndrimit në kafene të vogla dhe e faktit që nuk ke nevojë të nxitosh askund.
Gjithmonë më ka pëlqyer ideja e të jetuarit në një vend të vogël dhe të ngrohtë, ku i njeh njerëzit përreth dhe gjithçka duket sikur ecën pak më ngadalë. Ndoshta pas njëfarë kohe do të më dukej e mërzitshme, por dua ta provoj vetë përpara se ta vendos këtë.
Si dikush që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës në vendet e Gjirit, jam mësuar me motin e nxehtë dhe me peizazhet e shkretëtirës e mjediset e thata. Pikërisht për këtë arsye do të doja të përjetoja diçka krejtësisht ndryshe, si Italia në vjeshtë, me pemët që ndryshojnë ngjyrë, malet, liqenet dhe qytezat e vogla.
Mendoj se një nga gjërat që do të më pëlqente më shumë do të ishte thjesht të ecja nëpër rrugët e bukura të Italisë dhe të shkelja mbi gjithë ato gjethe të thata e shumëngjyrëshe pasi të kenë rënë nga pemët. Besoj se do ta shijoja vërtet atë ritëm më të ngadaltë të jetës, edhe sikur vetëm për pak kohë.
Rebecca Ann Hughes: Pse zgjedh Anglinë
Ka qenë një verë intensive në Italinë Veriore, ku jetoj. Kemi kaluar më shumë kohë mes valëve të të nxehtit sesa jashtë tyre, me periudha të gjata temperaturash mbi 35°C dhe lagështi që arrinte në 95 për qind. Kështu, papritur, e kam gjetur veten duke dëshiruar diçka që normalisht do ta konsideroja një ide fare të zakonshme për pushime: shëtitje në fshatrat britanike.
Europa nuk ka mungesë shtigjesh spektakolare për ecje dhe parqesh natyrore, por unë dua atë mjedis të pagabueshëm të pyjeve britanike: shiun e imët, aromën e lagësht e të dheut të gjetheve të rëna nën këmbë, pamjet e herëpashershme të ketrave që lëvizin me shpejtësi dhe, në fund, ngrohtësinë e një pub-i fshati.
Jam me fat që kam familjarë që jetojnë në dy zona fantastike të fshatit anglez – duke qenë se vij nga Skocia, këtë herë po shkoj në drejtimin e kundërt nga redaktori Mike, për të ndryshuar pak peizazh!
Tezja ime jeton në Lake District, terreni ideal si për ecje sfiduese deri në majat e maleve, që të lënë pa frymë, ashtu edhe për shëtitje më të qeta përgjatë brigjeve të liqeneve.
Xhaxhai im jeton në jug, në New Forest, ku e imagjinoj veten duke u futur në pyje të errëta ose duke ecur nëpër hapësirat e gjera e të hapura të shkurreve – dhe, pse jo, duke bërë miqësi me ponit e egër që enden lirshëm në zonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









