
Gjatë një interviste për A2CNN, Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka folur në lidhje me situatën e zjarreve në vend, ku theksoi se vera e këtij viti ka qenë më e vështira e viteve të fundit, ndërsa menaxhimi i flakëve kërkon angazhim të koordinuar të gjitha strukturave.
Sipas tij, situata e zjarreve nuk është vetëm e Shqipërisë, por e gjithë rajonit, pasi natyra ka katër stinë dhe përballja me zjarret kërkon menaxhim të vazhdueshëm.
Nufi bëri me dije se sot janë shuar 44 vatra zjarri, ndërsa disa të tjera mbeten në monitorim. Në të gjithë territorin e Republikës janë angazhuar të gjitha strukturat, duke nisur nga bashkitë, prefekturat e deri te Forcat e Armatosura.
Autoritetet vënë theksin se shumë prej vatrave janë shkaktuar nga dora e njeriut, nga qytetarë të papërgjegjshëm.
"Natyra ka katër stinë, situata e zjarreve nuk është vetëm e Shqipërisë, është e gjithë rajonit. Menaxhimi i zjarreve ka vështirësi dhe kërkon menaxhim. Kjo verë ka qenë më e vështirë se e kaluara. Në fund do të bëhet edhe vlerësimi i sipërfaqeve të djegura, do të bëhet evidentimi i të gjithë dëmeve.
Po t'i keni parë, shumë nga zjarret kanë qenë të ndezura nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët kanë ndikuar negativisht. Fillimisht angazhohet bashkia, pastaj angazhohet prefektura që bashkitë e tjera të bashkohen dhe në fund angazhohen Forcat e Armatosura dhe të gjitha strukturat.
Sot kemi 44 vatra që janë shuar, disa janë në monitorim. Çdo bashki ka angazhimet e veta. Si vjet nuk ka pasur forca që fikin zjarret me shkopinj dhe thupra, nuk luftohet zjarri pa mjete teknologjike, ka ndërhyrje të ndryshme dhe është teknike. Është e thjeshtë të hedhësh poshtë punën e tyre, por nëse i shikoni sa punojnë gjatë gjithë kohës në luftë me flakët. Sot në të gjithë territorin e Republikës janë të angazhuar të gjithë për fikjen e zjarreve." U shpreh ministri Nufi
