Situata është qetësuar në kryeqytet, e protestuesit e të ashtuquajturit “Revolucioni Flamingo”, pas tre orësh i janë rikthyer traditës së përshtatshme në këtë ditë të 101-të proteste duke u kthyer për të marshuar drejt kryeministrisë.
Sipas raportimeve forcat e policisë janë larguar nga zona e rrugës “George W Bush”, ku pak më herët pati shoqërime të protestuesve, të cilët pas përfundimit të seancës së parë plenare të këtij sesioni të ri parlamentar qëlluan me vezë në drejtim të makinave të deputetëve.
Tashmë protestuesit ndodhen në mes të bulevardit dhe një pjesë e tyre sipas videove të postuara në rrjet janë ulur në tokë dhe këndojnë “Rrjedh në këngë e ligjërime” të Vaçe Zelës. Më tej pritet që ashtu si çdo natë, ata të drejtohen te kryeministria dhe të mbajnë fjalimet për disa orë, për të nisur sërish më tej marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Kujtojmë se “Revolucioni Flamingo” nisi më 23 maj në fshatin Zvërnec, dhe rreth një javë më vonë më 30 Maj u regjistrua dhuna e ushtruar nga një polic privat kundrejt një protestuesi, e cila u bë shkëndija që ndezi protestat në Tiranë, ku qytetarët nisën tubimet e përditshme të pandërprera çdo ditë rreth orës 18:00. Orar i cili ndryshoi gjatë ditëve të verës, dhe orari i grumbullimit u spostua për në orën 19:00.
Lëvizja nisi si reagim mjedisor kundër projektit turistik luksoz të investitorit amerikan Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe Ishullit të Sazanit. Ajo mori emrin "Revolucioni i Flamingove" sepse zona e projektuar është habitati natyror i këtyre shpendëve.
Më tej protesta mori përmasa më të mëdha, përtej kauzës mjedisore duke kërkuar transparencë ligjore dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ndër 5 kërkesat që janë paraqitur nga protestuesit, të cilat u prezantuan më 22 qershor, nga Dritan Goxhaj, emër ky i cili ngjalli shumë përplasje dhe polemika në sferën politike. Pas reagimeve të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama dhe jo vetëm.
Pesë pikat e platformës vijojnë si më poshtë:
Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.
Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.
Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.
Mos heqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
