Bardhyle Beledi tregon se humbi bashkëshortin në vitin 2021, si pasojë e një aksidenti rrugor në Tiranë.
Në momentin e aksidentit, bashkëshorti i saj po lëvizte me motor, ndërsa në aksident u përfshi edhe një automjet. Pas përfundimit të procesit penal, drejtuesi i automjetit u shpall fajtor për aksidentin.
Në vitin 2022, Prokuroria e Tiranës urdhëroi kthimin e motorit, që ishte administruar gjatë hetimit si provë materiale. Bardhyle Beledi kërkon kthimin e motorit, si kujtimi i vetëm që i ka mbetur nga i shoqi i ndjerë.
“Stop” kontaktoi me Komisariatin e Policisë Rrugore Tiranë, që deklaroi se nuk rezultonte asnjë kërkesë për kthimin e motorit. Mjeti iu kthye më në fund Bardhyle Beledit, 4 vjet pas daljes së urdhrit për kthimin e tij, ndërsa familja Beledi vazhdon të presë edhe përfundimin e procesit të dëmshpërblimit.













