Drejtuesi i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka sulmuar ashpër mazhorancën dhe Kuvendin, duke deklaruar se parlamenti aktual nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve dhe duhet të mbyllë sa më shpejt punimet.
Blushi tha se nisja e legjislaturës është shoqëruar me masa të forta sigurie dhe gardhe metalike përballë qytetarëve, duke akuzuar mazhorancën se e ka kthyer institucionin më të rëndësishëm të përfaqësimit demokratik në një ‘shtetrrethim’.
Blushi u shpreh se, ky parlament është i denjë vetëm për Ermal Raketën, pseudonimi i ministrit të Mbrojtjes Ermal Nufi, i dalë nga përgjimi i publikuar nga ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj në ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV.
Fjala e drejtuesit të grupit parlamentar të PL, Tedi Blushi:
Doja ta nisja me një urim. Që në fakt është sot urimi i shumicës dërrmuese të të gjithë shqiptarëve. Që ky, ose kjo legjislaturë, të mbyllë sa më shpejt punimet. Sepse për fat të keq, ky parlament nuk përfaqëson vullnetin e shqiptarëve. Atyre shqiptarëve të cilëve sot, edhe sot me nisjen e kësaj legjislature, u keni vënë para gardhe metalik dhe e keni kthyer kuvendin në një shtetrrethim. Të denjë vetëm për zotin Raketa që paska gjetur mirësinë të vijë sot në kuvend edhe uroj t'i japë sqarime nëse e ka shndërruar Shqipërinë, vendin anëtar të NATO-s, në një vend...
Qenka e vërtetë që e paska pseudonimin Raketa. Ndaj e ftoj dhe zotin Raketa që mundësisht t'i fusë... t'i fusë dhe një raketë në mënyrë simbolike këtij parlamenti, i cili duhet të shkrihet. Edhe për faktin se shumica e ligjeve që sot po rrjepin shqiptarët mbajnë votën tuaj. Është ky parlament i cili refuzoi projektligjin për uljen e TVSH-së për ushqimet e shportës nga 20% në 5%. Një arsye pse ky parlament duhet të shpërndahet. Është ky parlament që ka refuzuar të ulë çmimin e karburanteve.
Një arsye pse ky parlament duhet të shpërndahet. Është ky parlament që ka refuzuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për vjedhjen e fondeve të IPARD. Një arsye pse ky parlament duhet shpërndarë. Është ky parlament që ka miratuar ato ligje që tronditën jo vetëm Shqipërinë, por edhe besoj aleatët e vendit tonë. Të cilët mësuan se si me firmat dhe me votën tuaj, përfshirë edhe votën e atyre deputetëve socialistë që nuk lenë haur, kioskë, trotuar në kryeqytet pa denoncuar, edhe bodrume... për ty e kam zoti Braçe, edhe bodrume! Pra nuk lë gjë pa denoncuar, por që nuk guxon dhe nuk guxoi të kundërshtojë ligjin që keqpërdori kompaninë shtetërore për trafik armësh.
Ndaj zoti Raketa, meqë jeni këtu në këtë seancë sot, bëjeni një nder këtij, ose një nder të fundit këtij parlamenti, futini një raketë edhe bëhuni gati për raketat që do t'ju mbërrijnë (figurativisht kuptohet) në ato pranitë tuaja hipokrite çdo të premte. Ju që s'keni sot guximin të përballeni me shqiptarët dhe që rrethoni kuvendin me tela me gjemba. Dhe sa për legjislaturën që sapo trokiti, zoti kryetar, të paktën kini mirësinë të kërkoni ndjesë për faktin që keni hyrë në histori si i pari kryetar parlamenti që keni shkelur Kushtetutën dhe kjo e çertifikuar me vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Ndaj i vetmi urim, që besoj është urimi i shumicës dërrmuese të shqiptarëve, është t'i mbyllni sa më parë dyert këtij parlamenti që përfaqëson sot vetëm interesat e krimit, të bandave dhe aspak interesat e shqiptarëve.
Faleminderit.
© SYRI.net
Protesta e 101-të, para parlamentit dhe drejtoria e Policisë! FNSH dhunë ndaj protestuesve i marrin zvarrë dhe arrestojnë
Noka: Policia ‘flakë’ sot, ndërhyri më shpejt ndaj protestuesve se ndaj zjarreve
Berisha: Dënoj terrorin policor e mediatik ndaj protestuesve paqësorë, Rama të japë dorëheqjen e menjëhershme