‘Gjueti shtrigash’ ndaj mjekëve, paratë vidhen nga Rama’, Eskiu: Shëndetësia është lënë në mëshirë të fatit

09:00, 09/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, Erges Eskiu, Sekretar për Aksionin Qytetar në PD u shpreh se qeveria Rama ka dështuar në financimin dhe menaxhimin e sistemit shëndetësor, duke lënë qytetarët të përballen me kosto gjithnjë e më të larta nga xhepi.

Eskiu tha se premtimi i Edi Ramës për financimin e shëndetësisë me 5% nuk është përmbushur, ndërsa pensionistët, të sëmurët kronikë dhe shtresat në nevojë janë më të prekurat nga mungesa e shërbimeve dhe kostot e trajtimit.

Ai tha se propaganda qeveritare për rritjen e financimit nuk pasqyron realitetin e shëndetësisë shqiptare, ku qytetarët paguajnë për ilaçe, analiza dhe trajtime.

Sekretari i PD-së akuzoi qeverinë se paratë publike nuk po shkojnë te pacientët, por po orientohen drejt koncesioneve dhe shpenzimeve që, sipas tij, rëndojnë buxhetin e shëndetësisë.

Duke u ndalur te spitalet dhe veçanërisht te Onkologjiku, Eskiu tha se vijojnë mungesat e medikamenteve, shtretërve dhe pajisjeve, ndërsa përgjegjësinë e sheh te menaxhimi politik i sistemit.

Ai kritikoi gjithashtu atë që e cilësoi si “gjueti shtrigash” ndaj mjekëve, duke argumentuar se korrupsioni në shëndetësi nuk zgjidhet duke sulmuar mjekët dhe infermierët, por duke rritur financimin, pagat dhe duke garantuar menaxhim transparent të fondeve publike.

Pjesë nga intervista:

Në praktikë do të thotë të humbësh shërbimin shëndetësor. Këtu preket pjesa e pensionistëve më tepër, të sëmurët kronikë, shtresa e varfër të cilat detyrohen që për shkak të shtrenjtësisë që ka sistemi shëndetësor sepse shëndetësia falas, ne kemi thënë në krye të herës që nuk ka shëndetësi falas në asnjë vend të botës. Shëndetësia falas është vetëm në Korenë e Veriut, ku është sistemi Semashko që presupozohet se është falas por ka pagesa nën dorë. Këtë model e kemi pasur në diktaturën komuniste të Enver Hoxhës.

Pra ishte një mashtrim, propagandë shumë e trashë e Edi Ramës, ku njerëzit, unë mendoj që nuk është se ia kanë besuar të gjithë, por kanë dashur ta besojnë. Militantët e PS-së pa diskutim e kanë besuar sepse kanë reminiscenca nga e kaluara, por që nuk mund të ndodhi diçka e tillë. Dhe sot jemi në këtë situatë ku 1 në 2 ilaçe i blen, ta paguash nga xhepi. 1 në 2 analiza ta paguash nga xhepi. Trajtimi shëndetësor gjysmën e paguash nga xhepi. Sepse, thashë, nuk ka shanse, shëndetësia është e kushtueshme në çdo anë të botës. Por që ti të mendosh që ta kesh falas, nuk ka. Plus që taksat që paguajmë, ose financimi që bën shteti, e bën nga taksat tona. Ne paguajmë taksa, paguajmë dhe kontribute shëndetësore, dhe me këto financohet shëndetësia. Por rëndom është e nënfinancuar, madje vihet e jashtëzakonisht shumë. Propaganda qeveritare kur do që të manipulojë njerëzit thotë që ne kemi çuar 4% të buxhetit në shëndetësi. Por Edi Rama nuk i thotë shqiptarëve që shëndetësia është e bashkuar me Ministrinë e Mirëqenies Sociale.

Dhe realisht te shëndetësia janë vetëm 2.7% e buxhetit e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Më fal, 2.3%. 1.7% i shkon Ministrisë së Shëndetësisë, thashë, i ka bërë bashkë të dyja dhe i gënjen shqiptarët sikur kemi çuar 4%. Premtimi prej 5% që ka dhënë Edi Rama në 2013-ën nuk është përmbushur as pas 13 vitesh, kemi hyrë në vitin e 14. Dhe kur u thotë shqiptarëve në besë, një njeri që ka cipë, një njeri që ka dinjitet ose ka karakter, i thotë u s'e bëra dot e po iki në shtëpi. Por ky vazhdon t'i mashtrojë ende. Nxjerr dhe atë ministren që thotë, u bë ish-ministre, ajo ne thoshte, propaganda prapë, 12.2% e buxhetit. Nuk thotë e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Thotë e buxhetit, që të thotë që ne kemi arritur Bashkimin Europian. 12% e buxhetit e kthejmë prapë tek ajo 2.7%-shi. Ose siç thoshte ministri i financave që thoshte kemi rritur pensionin, nga 97 euro e kemi çuar në 110 euro. Mirëpo euro në 2013-ën ishte 141, sot është 91. Dhe diferenca është vetëm 27 mijë lekë të vjetra. Ta kuptojnë pensionistët më mirë. Pra, kaq është rritur pensioni për 13 vite. Në qoftë se Partia Demokratike i dyfishoi pensionet kur e mori në 2005 me 2013, në tetë vite, këta pas 13 vitesh e kanë rritur pensionin vetëm 2700 lekë. Dhe propaganda thotë e kemi rritur 80 euro. Pra, kemi të bëjmë me njerëz të pashpirt që po u pinë gjakun këtij kombit dhe kanë pafytyrësinë t'i gënjejnë çdo ditë. Të humbasësh shërbimin shëndetësor është kjo fjalë jo, të mos marrësh shërbimin shëndetësor. Unë njoh plot njerëz të cilët në qoftë se nuk do kishin fëmijët në emigracion, o do prisnin vdekjen o do kishin vdekur me kohë.

Shiko, tani do i kthehem edhe diçkaje që zoti Berisha e ka thënë dhe më përpara. Ne e dimë se cili është modeli shëndetësor më i mirë, por në 2005-2013 nuk ishte ekonomi të shëndetshme që kishte lënë qeveria e Nanos dhe ne nuk mund të shkonim te sistemi gjerman që do shkojmë sot. Por sot paratë janë, buxheti është më i lartë sepse Partia Demokratike e investoi ose punoi në rritjen e ekonomisë. Pavarësisht se Edi Rama e ka shkatërruar dhe pavarësisht se vjedh, por mundësitë janë. Në qoftë se do mirëmenaxhoheshin paratë nga 2013 e deri më sot, në qoftë se do çonte financimin Edi Rama 5% sa ç'e kishte premtuar, shëndetësia do ishte shumë herë më mirë se sa sot. Por përveç se shkon 2.7% e buxhetit e Prodhimit të Brendshëm Bruto, pjesa më e madhe vidhet në koncesione, qindra miliona euro që janë të tejfryra. Pra edhe kur vihen në kontakt me administratorët e këtyre koncesioneve, thonë që shërbimin e kemi shumë të mirë, por kostoja është e lartë. Ose, hajde të diskutojmë.

Kostoja është jashtëzakonisht e lartë sepse shumica e asaj tortës që ka qejf Edi Rama apo tepsisë i shkon Edi Ramës. Shkon dhe për të blerë influenca, pra ka koncesionarë, klientë të qeverisë që blejnë dhe influenca të huaja. Për një foto Edi Rama me ndërkombëtarët. Pra paratë e shqiptarëve shkojnë dhe për lobim. Shkojnë në xhepin e Edi Ramës, të Vilma Nushit, të Klodian Allajbeut, dhe të tjerëve, Ilir Rrapajt, shokut të Ilir Beqjes, shkojnë edhe për të blerë influencë, që Rama t'i gënjejë shqiptarët që unë e kam mirë me amerikanët apo me evropianët e tjerë e tjerë. Para ka, sepse e tregoi edhe zoti Halim Kosova kur u bë ministër i Shëndetësisë për ato tre muajt e fundit, që mirëmenaxhoi edhe me një krizë qeverie që ishte. Por e vërteta është thashë që paratë vidhen, paratë shkojnë atje ku nuk duhet.

Pa diskutim që përfshihet edhe korrupsioni, edhe kalimi i pacientëve në sistemin privat, përfshihen të gjitha. Ka patjetër mjekë, infermierë apo dhe sanitarë që e shfrytëzojnë rastin, por që janë të papërgjegjshëm dhe normalisht që nuk i takon ai vend pune sepse ka një kod etike, ka një kod deontologjik. Është betimi i Hipokratit që disa e shkelin sepse e kanë mendjen për të zhvatur, ose për t'u pasuruar. Por thelbi është që këtu vjen nga lart, siç e ka thënë Edi Rama që peshku qelbet nga koka.

Pra po bëjnë gjueti shtrigash tek Onkologjiku, u sulmuan dhe u anatemuan 2-3 mjekë dhe për çfarë u bë ajo? Se nuk u përmirësua situata as në Onkologjik. Sërisht sot nuk ka shtretër mjaftueshëm, nuk ka medikamente, dhe jo vetëm tek Onkologjiku medikamentet e gjithandej mungojnë. Nuk ka as preparatet e bazë, nuk ka as në funksion aparatet diagnostikuese apo trajtuese për sëmundjet e kancerit dhe të tjera sepse, thashë, mendjen e kanë për të vjedhur, nuk e kanë për t'i shërbyer qytetarëve. Aty ishte thjesht për të nxjerrë nga loja një klinikë private, e cila nuk është se po shfrytëzonte rastin por po punonte privatësisht një shërbim që nuk ia jepte shteti, merrin privat. Për ta nxjerrë nga skema atë klinikën private, u bë kjo gjuetia e shtrigave.

Dhe shkoi pastaj Edi Rama në QSUT dhe i tha që ju jeni kancer i shëndetësisë. Por të luftosh apo të anatemosh mjekët e infermierët ti po i bën goditjen fatale shëndetësisë. Sepse ka pafund mjekë të ndershëm e infermierë të ndershëm që nuk shohin nga xhepi, shohin të japin shërbimin, shohin të ndihmojnë pacientin. Thashë, ka dru të shtrembër, por nuk janë të gjithë. Shumica janë njerëz të ndershëm, janë njerëz që e bëjnë me pasion atë profesion. Dhe korrupsioni vjen sepse ti nuk dyfishon pagat e mjekëve.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco