Në Muzeun “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës” në Shkodër u hap ekspozita dokumentare “Postriba ’46”, e realizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Ekspozita vjen në kuadër të 80-vjetorit të Kryengritjes së Postribës të 9 shtatorit 1946. Përmes dokumenteve arkivore, ekspozita sjell fakte mbi zhvillimin e kryengritjes dhe represionin e ushtruar më pas ndaj pjesëmarrësve dhe mbështetësve të saj.
“Këto ngjarje shërbejnë për të çuar një mision përpara, një mision i cili është i lidhur drejtpërdrejt me identitetin tonë, me atë çfarë ne përfaqësojmë si shkodranë, si shqiptarë, por mbi të gjitha për t’ua përçuar edhe brezave të rinj dhe për të mos lënë asnjëherë në harresë askënd”, tha Pjerin Mirdita, Përgjegjës i Muzeut “Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës”
Puna për dokumentimin e Kryengritjes së Postribës ka nisur prej vitesh nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.
Pas shtypjes së kryengritjes, dhjetëra pjesëmarrës dhe mbështetës u pushkatuan ose u burgosën, ndërsa u dogjën edhe shtëpi të familjeve të lidhura me të. Tetë dekada më vonë, ekspozita “Postriba ’46” rikthen përmes dokumenteve kujtesën e një prej ngjarjeve të rëndësishme të rezistencës ndaj regjimit komunist. A.K./TemA
Lini një Përgjigje