43 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 13 vatra vijojnë të jenë aktive.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, situata mbetet më problematike në qarqet Shkodër, Dibër, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Vlorë dhe Fier.
Në qarkun Tiranë, zjarri në Malin e Dajtit vijon të jetë aktiv në pyll ahu dhe shkurre, por aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Kryezi, Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë nën mbikëqyrje.
Në Dibër, aktive mbeten vatrat në Vajkal të Bulqizës, Lundre–Madhesh në Mat, Qafën e Helmes dhe Cerrujë–Mali i Allushit në Klos. Për këto vatra nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Lezhë, zjarri në Gallatë të Kurbinit vijon aktiv në terren të vështirë. Një tjetër vatër, në zonën Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, vijon të kërkojë ndërhyrje. Aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.
Situata më shqetësuese paraqitet në qarkun Shkodër, ku aktive janë vatrat në Mnelë të Vogël, Bardhaj–Myselim dhe Malin e Tërbunit. Në Mnelë të Vogël janë raportuar dy banesa në rrezik, ndërsa në dy zonat e tjera nuk raportohet kërcënim për banesat. Vatra mbi Ludric dhe Shopel në Fushë-Arrëz është nën mbikëqyrje.
Në Elbasan, vijon aktiv zjarri në Gurëshpatë të Librazhdit, pa rrezik për banesat. Mali i Qukësit është nën mbikëqyrje.
Në Vlorë, zjarri në Qesarat–Mali i Malinës, në Finiq, vijon aktiv. Në zonë është ndërhyrë edhe nga ajri, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Fier, vatra në Çërrilë të Mallakastrës mbetet aktive, ndërsa zjarri në Peshtan është nën mbikëqyrje.













