Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Ngjarja te karburanti i Frident Kuqit, çfarë ndodhi në të vërtetë te “EiDA”, kush e shkaktoi shpërthimin që ngriti në këmbë Tiranën?! (DEKLARATAT E AUTORITETEVE)

Shkruar nga Newsbomb
Ngjarja te karburanti i Frident Kuqit, çfarë ndodhi në të
Pamje pas shperthimit

Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e sotëm zonën e Brrylit në Tiranë, duke shkaktuar panik te banorët dhe kalimtarët, si dhe duke lënë të plagosur tre punonjës të një pike karburanti.

Ngjarja ndodhi në pikën e karburantit të shitjes me pakicë “Skënderi G” sh.p.k., në zonën e Brrylit në Tiranë, në pronësi të biznesmenit Frident Kuqi. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme në objekt, ndërsa godina njëkatëshe pranë karburantit u shemb.

Si pasojë e kësaj ngjarje të plagosur mbetën tre punonjësit e biznesit, 22-vjeçari Vlerim Hakballa, 30-vjeçari Rozart Abazi si dhe shtetasi Aurel Xhanaj. Aktualisht këta ndodhen në Spitalin e Traumës dhe nga informacionet e ardhura nga bluzat e bardha gjendja e tyre është stabël dhe fatmirëissht janë jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq në minutat e para pas shpërthimit u tha se dyshohej se bëhej fjalë për një sasi tritoli. Megjithatë këto mbeten vetëm dyshime të ngritura në momentet e para të ngjarjes dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet.

Policia ka dhënë versionin paraprak të ngjarjes, duke deklaruar se dyshohet për shpërthimin e një bombule gazi gjatë kohës që një automjet po furnizohej me karburant. Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, ka dhënë një tjetër panoramë mbi vendin e ngjarjes, duke thënë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit dhe se nuk përjashtohet as mundësia që një automjet të ketë goditur objektin.

Versionet paraprake tashmë janë në duart e grupit hetimor, i cili pritet të përcaktojë se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe nëse bëhet fjalë për gaz, avuj karburanti apo një shkak tjetër.

“Tiranë/Informacion paraprak; Tek “Brryli”, në një karburant, dyshohet se ka shpërthyer një bombul gazi, gjatë kohës që po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, janë dëmtuar 3 persona, punonjës të karburantit, të cilët janë dërguar në spital për mjekim, jashtë rrezikut për jetën.Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhej në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës Tiranë, Shkëlqim Goxhaj tha se bëhej fjalë për një shpërthim dhe jo për zjarr, ndërsa ngriti disa pista mbi shkakun e mundshëm të tij.

“Zjarrfikësit mbërritën shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe ndaluan rrjedhjen e gazit që vijonte, situata u vu nën kontroll shpejt, Ka qenë shpërthim jo zjarr, ndaj flakët u vunë nën kontroll brenda një kohe të shkurtër. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit, zyrat janë rrëzuar, edhe xhamat që janë përhapur në rrugë na bëjnë të mendojmë se shpërthimi ka ndodhur në zyrat e karburantit. Shpërthimi ka ndodhur nga gazi, ndoshta edhe avujt e benzinës, pasi ky është një shpërthim jo zjarr. Mund të ketë qenë edhe automjet që ka goditur zyrat e karburantit, brenda ditës së sotme do kemi edhe shkakun e shpërthimit”, tha Goxhaj.

Ndërsa vetë Inspektoriati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka raportuar paraprakisht se nga hetimet e para rezulton se nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Sipas ISHTI deri më tani dyshohet se zjarri ka nisur nga një makinë brenda karburantit.

“Nuk ka pasur shpërthim të rezervuarëve të karburanteve. Dyshohet se zjarri ka nisur nga një automjet me territorin e stacionit të karburanteve, që është shoqëruar dhe me eksplozion”, thotë ISHTI.

Për momentin, rrethanat mbeten ende të paqarta. Ajo që dihet është se shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale dhe ka plagosur tre punonjës të karburantit, ndërsa zona u vu nën kontroll nga shërbimet e emergjencës.

Grupi hetimor vijon punën në vendngjarje për të mbledhur provat dhe për të përcaktuar shkakun e këtij shpërthimi. Ngjarja e cila ndodhi në një nga zonat e frekuentuara të kryeqytetit, shkaktoi alarm dhe tronditje te qytetarët, ndërsa detajet e plota pritet të bëhen të ditura në orët në vijim, pas përfundimit të veprimeve të grupit hetimor.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese