'Koha e propagandës ka mbaruar'/ Xhixho: SPAK të hetojë përgjimet e Ahmetajt

'Koha e propagandës ka mbaruar'/ Xhixho: SPAK të hetojë përgjimet e Ahmetajt

10:43, 09/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një reagim në rrjete sociale, Erisa Xhixho, deputetja e Partisë së Lirisë, ka akuzuar qeverinë e Edi Ramës për lidhje me botën e krimit dhe interesa të errëta, duke iu referuar përgjimeve të bëra publike nga Arben Ahmetaj.

Xhixho kërkon hetim mbi çështjet e ngritura në përgjime, duke përmendur trafikun e armëve, tenderat, pasuritë natyrore, energjinë dhe financat publike.

Ajo kërkon nga SPAK hetim të plotë për kompanitë, kontratat dhe personat e përmendur, duke deklaruar se këto çështje mund të jenë pjesë e një skeme të kapjes së shtetit dhe pasurive publike.

Në përfundim, Xhixho kërkon largimin e Edi Ramës dhe e cilëson pushtetin e tij si një organizatë që, sipas saj, ka shndërruar shtetin në instrument të interesave kriminale.

Postimi i plotë:

Përgjimet e bëra publike në intervistën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj nuk janë thjesht një tjetër histori korrupsioni. Ato flasin qartë për mënyrën se si është ndërtuar dhe funksionon pushteti i Edi Ramës.

Lidhjet e kësaj qeverie me botën e krimit dhe interesat e errëta po dalin në dritë për të disatën herë. Dhe ajo që është edhe më e rëndë është se, sipas akuzave të bëra publike, ky bashkëpunim nuk kufizohet më brenda Shqipërisë, por shtrihet përtej kufijve.

Nga trafiku i armëve te tenderat, nga burimet natyrore dhe energjetike te financat publike, shqiptarët kanë të drejtë të dinë: kush vendos, kush përfiton dhe kush i kontrollon këto pazare?

Roli i Ron Yeffet, KAYO dhe Timak nuk mund të trajtohen si çështje private apo si episode të shkëputura. Ato duhet të trajtohen si prova të një hetimi mbi një skemë të mirëorganizuar të kapjes së shtetit dhe të pasurive publike.

E njëjta logjikë po shfaqet edhe në sektorë të tjerë strategjikë, ku pasuria dhe shërbimet publike po kthehen në plaçkë për klientelën e pushtetit.

Planet e reja për shëndetësinë dhe roli i Sani Sanilevic janë një tjetër zile alarmi.

2.1 milionë metra katrorë të dhëna deri tani përmes ligjit të investimeve strategjike janë indicie për hetim të menjëhershëm.

Shqipëria nuk mund të jetë shtet ku ligji u bindet pazareve të pushtetit. Nuk mund të jetë vend ku tenderat, pasuritë publike, energjia dhe siguria kthehen në burime pasurimi për një grusht njerëzish.

Tani është radha e drejtësisë.

SPAK nuk duhet të heshtë por duhet të hetojë deri në fund çdo lidhje, çdo kontratë, çdo kompani, çdo ndërmjetës dhe çdo vendimmarrës të përfshirë në këto akuza.

Shqipëria është sot në duart e një pushteti që e ka shndërruar shtetin në instrument të interesave kriminale.

Koha e propagandës ka mbaruar.

Tani duhet transparencë, hetim dhe përgjegjësi.

Koha për largimin e Edi Ramës dhe gjithë organizatës kriminale që përfaqëson!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco