Edhe këtë të mërkurë ka vijuar bojkotimi i seancave gjyqësore për shkak të ngërçit të krijuar me pagat e muajit gusht për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Republikës. Mësohet se, pas Tiranës, bojkoti është shtrirë edhe në gjykatat e Fierit, Lushnjës, Vlorës dhe Sarandës, ku sekretariati dhe e gjithë administrata gjyqësore kanë braktisur punën, duke sjellë përshkallëzim.
Bëhet me dije se në gjykata po zhvillohen vetëm seancat për masat e sigurisë, ndërsa proceset gjyqësore janë pezulluar për shumicën e dosjeve.
Shkak për këtë bojkot është bërë bllokimi i pagave nga ana e Thesarit të Shtetit, pas vendimit për rritjen e pagave të magjistratëve me 65 mijë lekë. Ky vendim solli kundërshtimin e qeverisë, e cila vendosi të bllokojë rrogat e muajit gusht për gjyqtarët dhe administratën.
Dje u zhvillua një mbledhje e kryetarëve të gjykatave në Gjykatën e Lartë, ku bëhet me dije se u vendos që më 10 shtator të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve. Ndërsa kryeprokurori Olsian Çela zhvilloi një mbledhje me drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve, ku u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi dhe të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Por pasojat e bojkotit të seancave po i vuajnë qytetarët, të cilëve iu janë shtyrë proceset gjyqësore. Avokati Jurid Sharka, i cili përfaqëson një klient dhe sot kishte seancë në Gjykatën e Fierit, ka deklaruar se ai mbështet bojkotin e magjistratëve, por ka theksuar se qytetarët duhet të ishin njoftuar për moszhvillimin e gjyqeve.
“Ne një mënyrë të papritur, janë njoftuar qytetarët që do të ketë bojkot, nuk do të ketë as shërbim sekretarie, as procese gjyqësore, përveç masave të sigurisë. Proceset e tjera është vendosur të mos zhvillohen dhe ka ardhur në një formë të papritur. Bojkoti është i drejtë, në zbatim të të gjitha kritereve ligjore që përcaktohen në Kushtetutën shqiptare, por që do ta mbështesin bojkotin duke marrë masa paraprake për njoftimin e zhvillimit të këtij bojkoti”, u shpreh aia.
