Policia e Tiranës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes së Bledar Dautit dhe Dashamir Tahirit, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së martës, 8 shtator, në zonën e Laprakës.
Sipas policisë, në kërkim është shpallur Arbër Krashi, i cili raportohet se kishte njohje me dy të plagosurit. Të tre dyshohet se kishin pasur një konflikt të mëparshëm, i cili kishte nisur rreth dy vite më parë dhe që mbrëmjen e djeshme janë përplasur sërish.
Debati mes palëve është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, Dauti dhe Tahiri kanë marrë plagë në këmbë, bark dhe në zonën e legenit. Këta të fundit nuk kanë dhënë deklarime para hetuesve lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin dhe dinamikën e konfliktit.












