Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur verifikimet pas deklaratave të bëra dy net më parë nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, lidhur me qeverinë e Edi Ramës dhe strukturat e ngritura prej saj.
Sipas raportimeve të fundit të Syri TV, SPAK i ka paraqitur televizionit një kërkesë për t’i vënë në dispozicion emisionin e plotë, përfshirë edhe materialet bruto të përgjimeve të transmetuara në publik.
Lëvizja e Prokurorisë së Posaçme vjen vetëm dy ditë pasi Ahmetaj, gjatë emisionit “Çim Peka LIVE”, ngriti një sërë akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilit iu referua si “kreu i organizatës”, ndërsa hodhi edhe dyshime për trafik armësh.
Gjatë emisionit ish-zëvendëskryeministri publikoi një audiopërgjim, për të cilin pretendoi se ishte autentik dhe se publikohej për herë të parë. Në materialin e paraqitur prej tij pretendohet se dëgjohet biznesmeni shqiptaro-izraelit Ron Yefet, së bashku me dy biznesmenë ukrainas, teksa diskutojnë për marrëveshje biznesi dhe çështje që sipas Ahmetajt lidhen edhe me institucione shqiptare.
Deklaratat për trafikun e armëve janë mohuar kategorikisht nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi. Në një përgjigje të shkurtër për gazetaren Ambrozia Meta, Nufi u shpreh: “Çfarë trafik armësh thua, a jeni në terezi? Nuk ka!”
