Ervis Deti, konsideruar nga autoritetet si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Ervis Doçi, i njohur si “Visi i Pojës”, është ekstraduar nga Shqipëria drejt Italisë.
Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se procedura e ekstradimit është përfunduar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”. Deti kërkohej nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Barit i kishte caktuar në vitin 2025 masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
"Në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Ëanted”, është finalizuar procedura për ekstradimin nga Shqipëria në Itali të shtetasit E. D., 41 vjeç, të cilit, në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Bari, Itali, i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal", njofton policia.
41-vjeçari u arrestua në Shqipëri në maj të vitit 2025, gjatë operacionit të përbashkët “Ura”, të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane. Hetimi kishte në fokus një rrjet të dyshuar për trafikun ndërkombëtar të narkotikëve mes Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas të dhënave të bëra publike nga hetimi, aktiviteti i grupit ishte dokumentuar edhe përmes komunikimeve në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC. Deti dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa episode të trafikut të narkotikëve, me vlera që arrinin në miliona euro.
Mes episodeve të përmendura në dosjen hetimore është edhe transporti i rreth 2 kilogramëve heroinë drejt Barit. Gjithashtu, ndaj tij rëndon dyshimi se ka ndërmjetësuar kalimin përmes Portit të Durrësit të një personi të përfshirë në aktivitetin kriminal, kundrejt pagesës prej 3 mijë eurosh.
Në Shqipëri, Deti është hetuar edhe për akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Në prill të vitit 2026, Gjykata e Posaçme e dënoi me 2 vite burgim për këtë vepër, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua në 1 vit e 4 muaj.
