Biznesmenët e fuqishëm, ata me lidhje në politikë por edhe me eksponentë të tjerë, disa prej të cilëve edhe kriminalë, i janë qepur zonave bregdetare, duke filluar nga Palasa e deri në Ksamil. Konflikti i disa ditëve më parë mes dy biznesmenëve për një pronë të majme në Palasë është vetëm maja e ajsbergut, pasi me vendime tepër të dyshimta të institucioneve shtetërore, duke përfshirë pushtetin lokal, Kadastrën apo Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, po tjetërsohen zonat më të bukura të Shqipërisë.
Gjirit i Llamanit, një zonë deri pak vite më parë e mbrojtur, por e lënë jashtë në mënyrë tepër të dyshimtë nga ish-ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, ku vetëm pas këtij vendimi janë miratuar me shpejtësi disa projekte madhore. Në krye të të gjithë skemës qëndron pikërisht biznesmeni Arben Muçobega, i cili duket se ka privatizuar të gjithë zonën, jo vetëm Gjirin e Llamanit.
Megjithëse ai mori një leje të majme për 101.200 m2 në kodrën ngjitur me Gjirin e Llamanit, sërish nuk u “ngop” dhe kërkoi me ngulm edhe projektin e radhës, të quajtur “Concave”. Qeveria ka zbardhur lejen e ndërtimit, ndërkohë që i ka vënë disa kushte për pronën. Por, duke parë konfliktin në Palasë, si e mori certifikatën e pronësisë së tokës Arben Muçobega? Si i doli pronari shkëmbit buzë detit?
Sipas dokumenteve, disa javë më parë qeveria ka firmosur miratimin e lejes së ndërtimit për objektin “The Concave”, objekt hoteleri 3 dhe 4 kat dhe me 2-5 kate nëntokë dhe pishina”, me vendndodhje në Llaman, Bashkia Himarë. “Dokumenti i lejes së ndërtimit i jepet kërkuesit vetëm pas plotësimit të dokumentacionit tekniko-ligjor dhe pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për llogari të Bashkisë Himarë” thuhet në dokumente.hapësira të bollshme verandash, sipërfaqe të gjelbëruar, sheshpushime etj”, thotë firma ndërtuese. Mësohet se hyrja për në hotel ndodhet një nivel mbi katin përdhe për shkak të disnivelit të terrenit.
“Për të imituar natyrën e qetë dhe private të zonës, objekti do të trajtohet në dy godina me formë harkore të cilat përqafojnë gjirin dhe në një kohë shkrihen me natyrën përreth. Fasada kryesore orientohet nga deti dhe do të ketë një ritem të rregullt të vendosjes së llozhave”, vijon dokumenti. Më tej shtohet se veshja e fasadës është menduar veshje me pllaka guri duke e bërë kështu një ndërtim kontemporan karakteristik mesdhetar.
Disa muaj më parë, Vox News publikoi dokumentet e një leje tepër të dyshimtë të dhënë nga qeveria për betonimin e Gjirit të Llamanit në Himarë, ku ndërtuese ishte firma Bega 07, me pronar Arben Muçobegën.
“Me veprime dhe dokumente tepër të dyshimta, duke qenë se zona është tërësisht shkëmbore, ata kanë arritur që të bindin qeverinë dhe veçanërisht ish-ministren e Mjedisit Mirela Kumbaro, e cila ka firmosur edhe lejen e zhvillimit”, do të denonconte redaksia jonë.
Mësohet se prej shumë vitesh, biznesmeni Arben Muçobega vijon që të shfrytëzojë të gjithë Gjirin e Llamanit, duke ngritur lokale dhe restorante luksoze, në një nga gjiret më të bukura të detit Jon, midis Himarës dhe Porto Palermos. Muçobega ka marrë vazhdimisht leje për shfrytëzimin e plazhit, ndërkohë që ka publikuar edhe projekte që e shndërrojnë të gjithë zonën e Llamanit në një resort personal, pa asnjë dalje në det për qytetarët e thjeshtë.
Ndërkohë, krahas këtij projekti, Muçobega ia vuri syrin edhe kodrës ngjitur me Gjirin e Llamanit. Është një kodër shkëmbore, normalisht që s’duhet të kishte pronar pasi është e pashfrytëzueshme dhe tërësisht në afërsi dhe pjerrësi të madhe drejt detit Jon. Por, si në çdo vend të bukur, ndoshta edhe asaj zone shkëmbore i ka dalë pronari si “tokë buke e gjyshit”. E gjithë ajo pikë ka një sipërfaqe plot 101.200 metra katrorë./ VoxNews












