Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza të reja ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e marrë të pandehur për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, fshehje të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Sipas SPAK-ut, Balluku dyshohet se ka favorizuar shoqërinë “Alko Impex General Construction” në tenderin për ndërtimin e Lotit 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës dhe, në këmbim, ka përfituar investime me vlerë deri në 410 mijë euro në një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë.
SPAK thotë se veprimet janë kryer në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik, legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesave dhe rregullat e miratuara për zhvillimin e procedurave të prokurimit.
Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë, ndërsa shoqëria e tij, “Alko Impex General Construction”, është vendosur nën hetim për të njëjtën vepër penale.
Igli Tare dyshohet për pastrim të produkteve të veprës penale, të kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Hetimet ndaj Ballukut kishin nisur më herët për tetë raste të dyshuara të shkeljes së barazisë në tendera, përfshirë Tunelin e Llogarasë dhe shtatë procedura që lidhen me segmentet e Unazës së Tiranës. Ajo po hetohej gjithashtu për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
SPAK njoftoi se hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të fakteve penale.
Lini një Përgjigje