E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kosova

Kriza në Kosovë, analistja: Refuzimi për zgjedhjen e nënkryetarëve, pretekst! Vetëvendosja kërkon të zgjasë ngërçin

Ilustrim · Vizion Plus

Kriza politike në Kosovë vijon të mbetet e pazgjidhur, pavarësisht zgjedhjes së kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu. Mungesa e marrëveshjes për nënkryetarët ka penguar konstituimin e plotë të Kuvendit dhe e ka lënë vendin ende larg formimit të qeverisë së re.

Analistja Alma Lama, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi,  e cilësoi situatën si një krizë të orkestruar. Lama u shpreh  se refuzimi për zgjedhjen e nënkryetarëve është një “pretekst” për të zgjatur ngërçin politik.

Sipas saj, afatet kushtetuese kanë kaluar dhe çështja duhet të adresohet urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese.

INTERVISTA E PLOTË:

Përse nuk u arrit kompromis, çfarë nuk eci për zgjedhjen e nënkryetarëve të parlamentit?

Alma Lama: Po sot nuk ishte nevoja fare për asnjë lloj kompromisi, për shkak se së pari për zgjedhjen e kryetares Vetëvendosja i kishte votat, nuk kishte negociata të tjera politike. Ndërsa nënkryetarët janë pozita kushtetuese që u takojnë subjekteve politike që marrin më së shumti vota në zgjedhje dhe ato zakonisht votohen në pako. Pra, partitë politike shqiptare, nënkryetarët e tyre votohen veç. Kjo ka qenë praktika parlamentare, ndërsa ato të minoriteteve veç. Lëvizja Vetëvendosje e përdori mekanizmin e votës për ta bllokuar sërish konstituimin e parlamentit, sepse kjo është axhenda e tyre politike. Nuk ka pasur asnjë lloj arsyeje tjetër për të mos e bërë këtë.

Kjo është një pretekst apo një çështje thelbësore?

Alma Lama: Jo, nuk është aspak thelbësore. Kjo është tërësisht pretekst. Po, është pretekst për të mos konstituuar parlamentin. Është vetëm një pretekst sepse këto pozita u takojnë partive politike dhe në praktikën parlamentare e në bazë të rregullores votohen të tre së bashku. Pra, përfaqësuesi i Vetëvendosjes, i PDK-së dhe i LDK-së në këtë rast, nënkryetarët votohen në pako. Është një votim krejtësisht formal, gjithmonë ka qenë formal. Ka mundur të mos ketë fare votim sepse këto pozita u takojnë me Kushtetutë. Për shembull, është pak a shumë e ngjashme me kryetarin e grupit parlamentar i cili nuk votohet në Kuvend. Pra, secili subjekt ka të drejtë të dërgojë atë që do ta përfaqësojë në Kryesinë e Kuvendit.

Dhe përpjekja e radhës do të jetë të premten pas dy ditësh. Ne në këto kushte kemi vetëm zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, por nuk është konstituar Kuvendi i Kosovës. Jemi larg ende krijimit të qeverisë dhe akoma më larg zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Që do të thotë se mbetet ende mjaft serioze kriza në Kosovë, apo jo?

Alma Lama: Pa diskutim. Nuk pres që edhe të premten të zgjidhet, domethënë të bëhet konstituimi i parlamentit, që Lëvizja Vetëvendosje të votojë, për shkak se qëllimi i tyre është të fitojnë sa më shumë kohë. Duhet thënë edhe një gjë, afatet kushtetuese kanë kaluar më 7 gusht dhe Kosova është tërësisht në shkelje të Kushtetutës. Parlamenti është jolegjitim. Kjo çështje duhet të adresohet urgjentisht në Gjykatën Kushtetuese. Edhe vendimi i sotëm, pra votimi i kryetarit mendoj që duhet të adresohet atje, sepse po rrezikojmë që parlamenti të marrë vendime të paligjshme të njëpasnjëshme pasi afatet kushtetuese kanë kaluar. Mendoj që është krizë tërësisht e orkestruar nga Lëvizja Vetëvendosje. Kërkon të provokojë zgjedhje të tjera për të marrë një numër më të madh deputetësh dhe kërkon që pak a shumë data të bëhet gjatë kohës kur vjen diaspora. Pra është lojë e njëjtë me pretekste të ndryshme. Sot u zu pretekst edhe nga fjala e një deputeti përfaqësues të Listës Serbe që foli në emër të atyre që përfaqëson, që janë qytetarët serbë. Përdori termin ‘populli serb’, por nuk është në të drejtën e kryetares që t’i diktojë deputetët për mënyrën se si flasin, vetëm në rast se bëjnë shkelje të rënda.

/vizionplus.tv

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh