Policia e Korçës ka goditur një rast të dyshuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet. Sipas informacioneve paraprake, mbrëmjen e djeshme shërbimet e policisë kanë ndaluar një automjet me dy persona.
Në momentin e ndalimit nga policia, pasagjeri ka hedhur nga automjeti një qese që përmbante një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Sipas gazetares Dhorjela Çule, gjatë kontrollit fizik të pasagjerit, blutë i kanë gjetur edhe një thikë, të cilën e mbante në trup.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe është larguar. Pas ndjekjes, shërbimet e policisë kanë arritur ta kapin, si dhe kanë konstatuar lëndën narkotike dhe armën e ftohtë.
Policia e Korçës kanë arrestuar shtetasin E.B., 31 vjeç, banues në Vlorë, ndërsa drejtuesi i automjetit, E.S., banues në Korçë, është proceduar në gjendje të lirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.
