Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit, Luan Tabaku, dyshohet se është dhunuar disa ditë më parë në qendër të qytetit, rreth orës 10:45 të mëngjesit të së dielës, më 6 shtator, në një zonë të frekuentuar të qytetit.
Sipas informacioneve të publikuara në media, Tabaku dyshohet se është goditur nga dy persona dhe se gjatë sulmit dyshohet të jenë përdorur edhe sende të forta. Si pasojë e dhunës, thuhet se Tabaku ka pësuar dëmtime në kokë, ndërsa, sipas kartelës mjekësore, rezulton me dy fraktura.
Syri TV është interesuar pranë Policisë së Elbasanit lidhur me këtë ngjarje, por deri më tani shtetasi Luan Tabaku nuk ka depozituar ende një kallëzim pranë Policisë së Elbasanit. Gjithashtu, për rastin në fjalë nuk ka pasur deri më tani një referim nga Prokuroria e Elbasanit.
Megjithatë, për shkak se ngjarja ka ndodhur në një hapësirë publike dhe është parë nga një numër i konsiderueshëm qytetarësh, policia ka nisur verifikimet lidhur me ngjarjen. Por, në mungesë të një denoncimi apo referimi zyrtar nga Prokuroria, deri më tani nuk mund të ndërmerren hapa të tjerë proceduralë.
Nga ana tjetër, Luan Tabaku është një emër i njohur në qytetin e Elbasanit. Përgjatë viteve, emri i tij është përmendur në raportime mediatike për shkak të dyshimeve dhe lidhjeve të pretenduara me persona të botës së krimit, si dhe për abuzime të pretenduara me fondet publike.
Jo më larg se në prill të vitit 2025, Tabakut iu krye një kontroll në banesë nga agjentë të BKH-së dhe Policia e Shtetit. Disa muaj më vonë, ai u paraqit edhe në Prokurorinë e Posaçme.
Megjithatë, këto zhvillime të mëparshme nuk përbëjnë provë për motivin apo autorësinë e ngjarjes së fundit, e cila mbetet objekt i verifikimeve dhe hetimit nga autoritetet.
© SYRI.net