Në një atmosferë të ngrohtë dhe festive, pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari në largim i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, u shfaqën së bashku në Festivalin “Vajza”, në Vlorë, një moment ku dominuan batutat, buzëqeshjet dhe falënderimet publike.
Rama nuk kurseu vlerësimet për Sadushin, duke e falënderuar publikisht për kontributin e tij, duke lënë të kuptohet një marrëdhënie tejet e afërt dhe miqësore mes tyre.
“Dhe në radhë të parë dua të falënderoj Sokolin, i cili më dërgoi ftesën për të katërtin vit rresht. Dhe këtë herë nuk refuzova, duke qenë se tani më, siç e tha edhe gjyqtarja, e cila i uroj që gjykimi të ketë formën e prerë, 4 vjet janë mjaft për të pasur besim që idea funksionon. Kështu që besoj që është rradha e duhur për të ardhur dhe për të dëshmuar, së bashku me të tjerët, suksesin e një ideje të lindur 4 vjet më parë”,- u shpreh Rama.
Por vetëm pak ditë më vonë, situata duket krejt ndryshe.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të gjyqtarëve të mbajtur mëngjesin e kësaj të enjteje në KLGJ, ku u diskutua mbi rrogat e gjyqtarëve, Sadushi mbajti një qëndrim tjetër përballë situatës, duke e vendosur theksin te përgjegjësia e shtetit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Pa e përmendur drejtpërdrejt Edi Ramën, Sadushi foli qartë për ekzekutivin dhe mënyrën se si po trajtohet çështja e pagave, duke lënë të nënkuptohet se ndjehet “i tradhëtuar” nga kreu i qeverisë, i cili pak ditë më parë i thuri lavde.
“Paga nuk është një shpërblim, që jepet sipas vlerësimit të ekzekutivit dhe as një instrument që mund të përdoret për të ndikuar mbi gjyqësorin. Në një shtet të së drejtës nuk është Kushtetuta ajo që përshtatet me buxhetin, por është buxheti që duhet të përshtatet për të bërë të mundur zbatimin e Kushtetutës. Ka vite që drejtësisë shqiptare i kërkohet shumë dhe me të drejtë, integritet, profesionalizëm, shpejtësi dhe cilësi. I kërkohet të luftojë korrupsionin, të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të jetë një nga shtyllat e procesit të integrimit evropian.
Pikërisht sepse kërkesat ndaj drejtësisë janë kaq të larta, po aq i lartë duhet të jetë standardi, me të cilin shteti garanton kushtet e ushtrimit të funksionit të saj. Nuk mund t’i kërkosh drejtësisë të jetë e fortë dhe njëkohësisht të dobësosh institucionet, që duhet ta japin atë; t’i kërkosh gjyqtarit pavarësi dhe ta trajtosh statusin e tij si të negociueshëm; t’i kërkosh administratës të mbajë sistemin në këmbë dhe ta lësh pa pagë. Nuk mund t’i kërkosh qytetarit të besojë te drejtësia, ndërsa vetë shteti i transmeton mesazhin se gjyqësori është barrë, problem apo kundërshtar”,- u shpreh Sadushi ndër të tjera, duke lënë të kuptohet një ndjesi zhgënjimi ndaj Ramës, i cili, pavarësisht mbështetjes dhe vlerësimeve të shprehura, nuk ka lejuar asnjë lëvizje për pagat.
Kujtojmë se ngërçi për pagat e gjyqtarëve ka sjellë prej muajsh përplasje mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë. Debati nisi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mënyrën e përllogaritjes së pagave të magjistratëve, i cili kërkonte ndërhyrje ligjore nga Kuvendi. Me përfundimin e afatit më 31 korrik pa u miratuar ndryshimet e nevojshme, u krijua një situatë e paqartë për pagat që do të zbatoheshin nga 1 gushti.
Në këtë situatë, KLGJ dhe KLP përcaktuan vetë mënyrën e vijimit të pagesave, ndërsa ekzekutivi ka argumentuar se pa një bazë të re ligjore nuk mund të bëhej përllogaritja sipas kërkesave të gjyqësorit. Përplasja u përshkallëzua pasi pagat e gushtit nuk u ekzekutuan, duke sjellë edhe protesta e ndërprerje të shërbimeve nga administrata e disa gjykatave.
Nga ana e tij, gjyqësori këmbëngul se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet dhe se mungesa e një rregullimi të ri ligjor nuk mund të përdoret si arsye për të pezulluar një të drejtë që buron nga Kushtetuta.
LEXO EDHE:













