Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës do të hetojë në gjendje të lirë drejtorin e shërbimeve publike dhe drejtuesin teknik të punimeve, pas vdekjes së punëtorit të bashkisë Tropojë, gjatë vendosjes së një shtyllë ndriçimi.
Kujtojmë se Ndiçim Gjocaj 36 vjeç dhe Gëzim Hasanpapaj 60 vjeç, u ndaluan ditën e djeshme nën akuzë për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Punonjësi 59 vjeçar i bashkisë Tropojë Muhamet Sylisufaj ndërroi jetë në rrugën e Dobravës, aty ku katër punonjës të sektorit të shërbimeve do të vendosnin në bazament një shtyllë ndriçimi anë rrugës. Si pasojë e peshës së madhe ata humbën ekuilibrin dhe shtylla kapi telat elektrikë duke përcjellë rrymën tek punëtorët. Fatkeqësisht Muhamet Sylisufaj humbi jetën, ndërsa 3 të tjerët shpëtuan mrekullisht dhe morën ndihmë mjekësorë në spital.
Njoftimi i bërë nga Prokuroria:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Kukës, u ndaluan shtetasit N.Gj. Drejtor i Shërbimeve Publike, Turizmit dhe Transportit dhe shtetasi G.H., teknik i mirëmbajtjes së rrugëve në Bashkinë Tropojë, nën akuzë për veprat penale ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë’ parashikuar nga nenet 248 dhe 289 të Kodit Penal.
Shtetasit në fjalë u ndaluan në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr. 390 të vitit 2026, të regjistruar pas ngjarjes së ndodhur në Fshatin Bujan, Bashkia Tropojë.
Në këtë zonë, në datën 08.09.2026, punonjësit e bashkisë M.S., A.D., I.D. dhe A.A., duke montuar një shtyllë të ndriçimit rrugor kanë bërë kontakt me përcjellësit elektrik dhe për pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi M.S., dhe janë dëmtuar punonjësit e tjerë, A.D., I.D. dhe A.A.
