‘Rama bunkerizon drejtësinë dhe persekuton Metën’, Blushi: Të zbatohet vendimi i Kushtetueses

11:44, 10/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një deklaratë për media kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, akuzoi qeverinë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve.

Blushi tha se Partia e Lirisë e mbështet zbatimin pa vonesë të vendimit, ndërsa kërkoi që drejtësia të hetojë edhe ministrin e Financave, Petrit Malaj, për firmosjen e rreth 4.3 milionë eurove nga fondi i emergjencave civile për koncertin e Kanye West.

Deklarata vjen në një kohë kur gjyqtarët kanë kërkuar zhbllokimin e pagave dhe zbatimin e vendimit kushtetues.

Blushi u përqendrua edhe te çështja e Ilir Metës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për “persekutim politik” dhe duke kërkuar ndërhyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Burgjeve dhe Avokatit të Popullit.

Ai mbështeti reagimin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për trajtimin e Metës dhe kundërshtoi kufizimin e publicitetit të seancave gjyqësore.

Sipas Blushit, mbyllja e procesit ndaj Metës nga opinioni publik i shërben qeverisë dhe synon të krijojë një proces të kontrolluar politikisht.

Deklarata e plotë:

Për shkak të një zhvillimi i cili tashmë nuk është surprizë, gjyqtarët janë mbledhur dhe kjo seancë gjyqësore me sa u informuam u shty për ditën e hënë. Megjithatë më lejoni të theksoj edhe në emër të Partisë së Lirisë që ne e mbështesim plotësisht zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket pagave të magjistratëve. Por drejtësia duhet të funksionojë me ligj dhe nuk duhet të vonojë për të marrë të pandehur ministrin e Financave, zotin Petrit Malaj, i cili fap-fap firmosi dhënien e rreth 4.3 milionë eurove duke i tërhequr këto fonde nga fondi i emergjencave civile për organizimin e një cirku si ai koncerti me Kanye West dhe ndërkohë refuzon të zbatojë ligjet, të zbatojë mbi të gjitha vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Pra, theksoj edhe një herë që Partia e Lirisë mbështet plotësisht zbatimin pa më të voglën vonesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Së dyti, më lejoni të përshëndes reagimin e sotëm të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, një reagim i cili tashmë është bërë publik. Një rekomandim drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në fakt i drejtohet Edi Ramës, për t'i dhënë fund persekutimit, shkeljes flagrante të lirive dhe të drejtave të njeriut që po ndodh me zotin Meta. Një rikthim i një persekutimi me urdhër të drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Ndaj është momenti që t'i bëj edhe një herë thirrje Ministrit të Drejtësisë, Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, të refuzojnë të zbatojnë një urdhër kriminal të Edi Ramës për të rikthyer masat persekutuese, këtë ndëshkim politik ndaj një prej dy liderëve kryesorë të opozitës, Presidentit të Partisë së Lirisë, i cili po bëhen gati dy javë, vijon të qëndrojë në izolim ekstrem, me zero fakte penale kundër tij, me zero dëshmi të paligjshme të sekuestruara, me zero metër katror pasuri të paligjshme të sekuestruar, thjesht dhe vetëm për shkak të një urdhri politik të Edi Ramës.

Ndaj përsëris edhe një herë thirrjen drejtuar këtij institucioni kushtetues, të Avokatit të Popullit, të mos bëhet bashkëfajtor në këtë shkelje flagrante jo vetëm të ligjit, por edhe të Kushtetutës, si edhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut sa i përket mënyrës kriminale të trajtimit të zotit Meta në IEVP Jordan Misja, ku sigurisht jemi të bindur që nuk është përgjegjësi as drejtori i IEVP-së, por është dhe ka vetëm një përgjegjës, dhe ai është Edi Rama. Dhe së treti, më lejoni që t'u bëj thirrje të gjithë gazetarëve të refuzojnë rregulloren Rama që ka rikthyer censurën dhe bunkerizimin e një procesi gjyqësor, i cili e theksoj, në respekt edhe të Kushtetutës, edhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duhet të jetë një proces publik.

Hetimet që duhet të ishin sekret për vite e vite me radhë, rrodhën në media, u bënë publike copa të fragmentizuara për të krijuar perceptimin e rremë sikur gjoja zoti Meta ishte fajtor, u lejuan mediat vetëm për të filmuar pamje nga mbajtja në kafaz, edhe një tjetër akt i kundërligjshëm, antikushtetues, në shkelje flagrante të Konventës së të Drejtave të Njeriut Evropiane në lidhje me mbajtjen në kafaz, për të krijuar perceptimin e rremë pra që zoti Meta është fajtor, kur ndërkohë po bëhen dy vjet që ai vijon të mbahet në izolim ekstrem dhe SPAK-u nuk ka provuar dot një kundërvajtje administrative, e jo më një kundërvajtje penale apo të ketë publikuar një akt, një vendim, një shkresë sikundër është jo vetëm një shembull, firma e Edi Ramës që i dha 8% bonusin të inceneratorëve, apo sikundër është pafuqia e këtij institucioni për t'ju afruar telefonit të Edi Ramës, e jo më të marrë të pandehur, e për më tepër për të filluar hetimet për skandalin e fundit shumë të rëndë në lidhje me trafikun ndërkombëtar të armëve.

Ndaj edhe një herë përsëris thirrjen drejtuar ju të gjithë gazetarëve për ta refuzuar rregulloren Rama. Në çdo kohë, edhe sot kishte një shtetrrethim brenda një gjykate, e cila në fakt duhet të garantojë publicitetin e këtyre seancave, për më tepër kur bëhet fjalë për ish-funksionarë të lartë të shtetit, sikundër është rasti i zotit Meta. Ish-kryeministër, ish-kryetar parlamenti, ish-president i Republikës, dhe ku sigurisht që palë e interesuar në këto procese është vetë publiku, i cili duhet të shohë ballafaqimin e fakteve dhe provave, ku sigurisht hermetizimi, bunkerizimi i këtyre proceseve gjyqësore i shërben vetëm një individi, dhe ai është Edi Rama, sepse në fakt vetë bunkerizimi vërteton atë që ne kemi denoncuar në krye të herës, faktin që kemi të bëjmë thjesht dhe vetëm me një proces politik, me një farsë kriminale, me një prej dy liderëve kryesorë të opozitës, dhe pikërisht për të mos dalë në dritë të diellit standardet kriminale të hetimit që janë identike me ato standarde të rrëmbimit të asaj mafies, janë identike me standardet e paraburgimit të zotit Meta, të cilat sërish u denoncuan sot edhe nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, është shpikur një rregullore Rama për të bunkerizuar dhe për të mbajtur larg opinionin publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco