Kryetarët e 18 gjykatave të vendit dhe dy shoqatat që përfaqësojnë gjyqtarët kallëzuan në Prokurorinë e Posaçme të enjten ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe 15 zyrtarë të degëve të Thesarit, duke i akuzuar ata për bllokimin e pagesave të magjistratëve dhe administratës gjyqësorë për muajin gusht.
Në kallëzimin e nënshkruar nga kryetarët e gjykatave kërkohet fillimi i hetimeve ndaj ministrit Malaj, drejtorit të Thesarit, Gentian Këri dhe 14 zyrtarëve të tjerë për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Magjistratët vërejnë se kallëzimi është paraqitur me qëllim që organi i Prokurorisë të identifikojë personin që kanë marrë, transmetuar ose zbatuar vendimmarrjen konkrete që ka sjellë moszekutimin e pagave të tyre dhe të punonjësve të administratës.
“Ky kallëzim nuk synon zëvendësimin e mjeteve administrative, gjyqësore apo institucionale përzgjidhjen e mosmarrëveshjeve lidhur me mënyrën e përllogaritjes së pagave dhe as ushtrimin e presionit ndaj ndonjë institucioni shtetëror për një rezultat të caktuar financiar. Qëllimi i tij është vetëm hetimi penal i ligjshmërisë së veprimeve ose mosveprimeve konkrete që kanë sjellë moszekutimin e pagave dhe përcaktimi i përgjegjësisë individuale sipas ligjit,” citohet në kallëzim.
Një javë më parë, qeveria bllokoi pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe të punonjësve të administratës së institucioneve të drejtësisë, pasi listë pagesat u dërguan bazuar në vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilat vendosën llogaritjen e pagave për shtatorin në përputhje me vendimin e marrë më 17 shkurt nga Gjykata Kushtetuese.
Pasi konstatuan se Kuvendi e zvarriti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dy Këshillat vlerësuan se vendimi ishte i detyrueshëm dhe përcaktuan rritjen me pagë bazë referuese prej 222 mijë lekësh dhe 14 mijë lekë për shtesën e kualifikimit. Sipas këshillave, rritja e pagës duhej te fillonte nga data 1 gusht. Po ashtu, u vendos që të kompesohej ulja e fshehur e pagës e realizuar me ligjin e mëparshëm të shfuqizuar ne muajin hskurt nga Gjykata Kushtetuese.
Për shkak te mosekzekutimit të kistëpagesave të pagave, ka pasur bojkotim të punës në disa gjykata. Por ashtu, kryetari i Gjykatës se Lartë, Sokol Sadushi thirri të enjten Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, që k si objekt bllokimin e pagave nga qeveria.






