E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Gjermania synon të fusë Inteligjencën Artificiale në operacionet ushtarake

Ilustrim · Vizion Plus

Ushtria gjermane po shqyrton rreth 30 mjete të inteligjencës artificiale (AI) që synojnë të përshpejtojnë procesin e vendimmarrjes në fushëbetejë.

Synimi është që një prej këtyre sistemeve të arrijë fazën e prototipit gjatë vitit 2027, ndërsa vendosja e plotë parashikohet për vitin pasardhës.

Viceadmirali Thomas Daum, drejtues i Komandës Kibernetike të ushtrisë gjermane, është shprehur optimist se një prototip mund të jetë gati në tremujorin e dytë të vitit 2027, me zbatimin e plotë të teknologjisë që pritet të nisë në 2028.

Lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të dronëve dhe satelitëve, të cilët prodhojnë dhe mbledhin sasi të mëdha informacioni.

Përdorimi i inteligjencës artificiale shihet si një mënyrë për t’i përpunuar dhe analizuar këto të dhëna në një kohë shumë më të shkurtër se sa do të mund ta bënin operatorët njerëzorë, raporton Reuters.

Pjesa më e madhe e sistemeve që po vlerësohen janë zhvilluar nga kompani gjermane, ndërsa në procesin e konkurrimit është përfshirë edhe kompania franceze ChapsVision.

Ndërkohë, Gjermania ka vendosur për momentin të mos blejë Maven Smart System, platformën e zhvilluar nga kompania amerikane Palantir Technologies.

Ky sistem përdoret nga Shtetet e Bashkuara, NATO dhe disa vende aleate për analizimin dhe përpunimin e të dhënave të mbledhura në fushëbetejë.

Rezervat ndaj përdorimit të teknologjive të tilla amerikane në disa vende evropiane lidhen kryesisht me rrezikun e krijimit të varësisë teknologjike nga SHBA-të, si dhe me shqetësimet për sovranitetin dhe kontrollin mbi të dhënat.

Redaksia Web
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh