I ftuar në edicionin e pasdites në Syri TV, gazetari Elkier Bushkolaj ka komentuar krizën e krijuar në sistemin e drejtësisë pas bojkotit të gjyqtarëve, duke e cilësuar situatën si një tjetër dështim të reformës në drejtësi.
Bushkolaj tha se, ndërsa gjyqtarët protestojnë për pagat, janë qytetarët ata që po përballen me pasojat e bllokimit të institucioneve, në një kohë kur sistemi ka një stok prej qindra mijëra dosjesh të pazgjidhura.
Ai u shpreh se drejtësia shqiptare po përballet me një ngërç të rëndë institucional dhe nuk po arrin të përmbushë qëllimin për të cilin u reformua: dhënien e drejtësisë dhe goditjen e korrupsionit në nivele të larta.
Bushkolaj ngriti akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë për mënyrën se si po trajtohen dosjet që prekin zyrtarë të lartë të mazhorancës.
Ai u ndal te hetimet ndaj ish-ministres Belinda Balluku, duke kritikuar zvarritjen e hetimeve dhe duke kërkuar që SPAK të shkojë deri në fund të çështjeve të korrupsionit dhe pasurive të zyrtarëve.
Gazetari përmendi edhe audio-përgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, duke kërkuar hetim për pretendimet mbi trafik ndërkombëtar armësh dhe duke argumentuar se heshtja e institucioneve përballë denoncimeve të tilla tregon nevojën për një reformë të re të drejtësisë. Në këtë kuadër,
Bushkolaj e cilësoi paradoks faktin që, pas miliona eurove të investuara në reformën në drejtësi, qytetarët vijojnë të përballen me vonesa, ndërsa korrupsioni në nivele të larta mbetet i pandëshkuar.
Pjesë nga intervista:
Të paktën me sa duket sot, shumë prej gjyqtarëve e mësuan se kanë edhe rroga pasi nuk e kemi parë që të ankohen apo të flasin shpesh për këtë pjesë apo për disnivelin e pagave të tyre në raport me kolegët në vendet e Bashkimit Evropian apo qoftë edhe në vendet e rajonit. Pavarësisht se performanca e tyre është dukshëm, shumë herë më e ulët. Normalisht që kanë një farë keqardhje për administratën gjyqësore që janë në punë të thjeshtë, por keqardhja më e madhe është për qytetarët që penalizohen nga ky bojkot i punës së institucioneve të drejtësisë së re. Ne duhet të kemi parasysh që me reformën në drejtësi, ne e larguam drejtësinë nga shumica prej qyteteve dhe e lokalizuam në ato që janë qendra qarku, ndërkohë sa sot nuk ofrohet pothuajse asnjë lloj shërbimi prej të paktën tre ditësh. Ndërkohë që ne duhet të kemi parasysh që stoku i dosjeve këtu ka shkuar, kam përshtypjen mbi 400 mijë aktualisht që po flasim, pra duke bërë që pritja e qytetarëve të jetë e pafundme për të marrë një vendim.
Por përtej kësaj, duhet të kemi parasysh që vendimi i Gjykatës Kushtetuese patjetër që do të duhej zbatuar dhe kjo tregon një ngërç të rëndë dhe mënyrën se si funksionojnë institucionet në Shqipëri që janë në mëshirë të Kryeministrit të vendit. Pra kjo qeveri ka pasur një emergjencë kur kaloi fondet për koncertin e Kanye West, ndërsa nuk e konsideron emergjencë çështjen e bojkotit të gjyqtarëve për shkak të pagave. Po këtu është një paradoks i madh dhe madje bën edhe ftesë që të kthehemi pak, pavarësisht se numri i kallëzimeve, për të thënë të drejtën, ka shkuar në shifra që tani ndoshta as nuk i dimë për shkak të aferave që dalin çdo ditë, por më duket për të shkuar, të paktën do të duhet të presim një intervistë të radhës të Arben Ahmetajt për të parë nëse SPAK-u do të vihet në lëvizje vetëm për Ramën apo do të mbetet deri te departamentet e Belinda Ballukut. Por përtej kësaj është një çështje që patjetër duhet të marrë zgjidhje pasi, siç thashë, janë qytetarët shqiptarë ata që i paguajnë kostot e këtij bojkoti. Por kjo tregon edhe derexhenë ku është katandisur drejtësia në Shqipëri.
Ne kemi një drejtësi që de fakto nuk po jep drejtësi për qytetarin dhe nuk po ndëshkon pandëshkueshmërinë. Pra korrupsioni në nivele të larta, grupet e strukturuara kriminale të cilat vijojnë të gjejnë terren në Shqipëri dhe të operojnë lirisht dhe madje kemi kryeministrin i cili del mbron të gjitha aferat korruptive. Mbrojti Ahmetajn, pavarësisht se gazi është aty. Mbron Belinda Ballukun, pavarësisht se detajet që dalin nga dosja e Belinda Ballukut janë tronditëse.
Tani ky është paradoksi, ky është paradoksi i drejtësisë së re. Pra, investuam miliona euro në një sistem drejtësie për të ardhur deri në këtë pikë. Që Rama mund të bëjë çfarë të dojë me drejtësinë. Tani ka një paradoks shumë të madh, tani për të ardhur te çështja e Ballukut. Pyetja që shtrohet është pse kemi kaq shumë zvarritje, pse duhet të ketë një njoftim vetëm për sekuestrimin e një vile. Pra, këtu është paradoksi. Pra, mësuam që Balluku nuk paska një vilë në Vlorë, por paska dy vila. Vetëm kjo ishte e reja e deklaratës së SPAK-ut përtej akuzave për korrupsion apo për përfshirjen e biznesmenit Arbër Abazi. Se pjesa më e madhe e detajeve të reja janë detaje që diheshin. Por këtu është pasiviteti. Këtu kemi një mungesë, hezitim të thelluar për t'i shkuar edhe më tej. Detajet që dalin janë tronditëse.
Detaje për vila luksoze, për shpenzime marramendëse. Dhe dikush është paradoksi më i madh, sot që flitet për dy vila të 1 milion euro të Belinda Ballukut, del kryeministri Rama dhe flet për strehim social. Kjo është qesharake, është të vësh duart në kokë. Pra pse? Sepse SPAK-u i dha kohë që të menaxhojë çështjen e pastrimit të parave të drogës në sektorin e ndërtimit, edhe sot kryeministri i vendit del edhe premton strehim social me taksat e shqiptarëve. Pra që të blihen ato pronat e konfiskuara dhe nuk foli asnjë gjysmë fjale për Belinda Ballukun dhe për detajet që po dalin. Nuk kërkoj asnjë ndjesë për faktin që është ky zotëria që ka urdhëruar deputetët e tij që të mbrojnë Belinda Ballukun.
Patjetër, këtu kemi hyrë në çështje procedurale, që realisht e vetmja gjë që bëjnë është të zvarrisin procesin. Për fat të keq më vjen ndërmend çështja e zonjës Olta Xhaçka. Të gjithë e pamë se si u mbrojt nga institucionet shtetërore, kryesisht nga parlamenti me votat e mazhorancës dhe kam përshtypjen që po shkojmë drejt të njëjtit standard, si përsa i përket parlamentit edhe përsa i përket institucioneve të drejtësisë. Edhe këtu duket qartë që ne nuk kemi asnjë reflektim nga institucionet e drejtësisë as për atë protestën, jo më larg se sot u protestua sërish para ambienteve të SPAK-ut dhe GJKKO. Dhe kush është debati më i madh që sot zhvillohet në SPAK dhe GJKKO? Është pikërisht për çështjen e rregullores së re të GJKKO-së që duan të privojnë gazetarët. Që të mbajnë telefonin në dorë dhe ta bëjnë sa më mirë punën e tyre. Madje për këtë dhe kolegët që sot janë në terren po presin që të marrin një reagim edhe nga gjyqtari, nga zoti Bani lidhur me këtë rregullore.
Nuk e dimë nëse do ta japin një reagim për këtë çështje, por çështja është që këtu shqiptarët po privohen nga drejtësia, shqiptarët po privohen nga goditja e korrupsionit në nivele të larta. Nuk ka shembuj, nuk ka luftë konkrete. Pavarësisht se këtu ka sinjale, qoftë nga partnerët, qoftë nga ambasadat. Audio-përgjimi i fundit ishte tronditës, që tregon se si vendi jonë është i përfshirë në trafik ndërkombëtar armësh. Po janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Ne flasim, ky trafik ku ndodh? Kjo ndodh në pikat kufitare. Ku ndodh? Ndodh nëpër porte. Që nuk kapen më sasi kokaine. Pra janë tokë pa zot. Janë ato tokat pa zot të krimit të organizuar.
Për fat të keq, kur flasim për trafik ndërkombëtar armësh, nuk po flasim për një vend dosido. Në fund të ditës Shqipëria prej vitesh është anëtare e NATO-s. Pra edhe këtu nëse ka trafik ndërkombëtar armësh, këtu ka trafik ndërkombëtar armësh nën logon e NATO-s dhe kjo duhet ta trondiste SPAK-un. Prokurorët e SPAK-ut duhet të kishin mësyrë zyrat e Syri Televizion, që atë natë, se këto i kanë mësyrë edhe për gjëra të tjera pa rëndësi. Që atë natë do të duhej të kishin qenë në zyrat e Syri Televizion. Sot Nuhu nuk ka, pse ta ndjekë kolegia Ambrozia Meta Nuhun për t'i marrë pyetje dhe të ikë Nuhu si raketë? Nuhu duhet të kishte shkuar si raketë në SPAK, për të dhënë sqarime për pozicionin e tij.
Po, ta pyeste Fatjoni, për të dhënë sqarime. Çfarë ka ndodhur, ish-ministri i mbrojtjes, zotëria i ka dalë emri në audio-përgjime. Ne nuk duhet të harrojmë se çfarë ndodhi për një audio-përgjim të Ilir Metës. Nuk duhet ta harrojmë se çfarë ndodhi për një audio-përgjim të Ilir Metës. Ndërkohë që këtu jemi në kushte të ngjashme. Audio-përgjimet të cilat janë publikuar nga zoti Ahmetaj faktokjnë në fakt atë çka është denoncuar se Shqipëria tashmë është, përpos vendit tranzit të trafikut të drogave, tashmë ka edhe trafik ndërkombëtar armësh. Zoti Ahmetaj garantoi për autenticitetin e këtyre audio-përgjimeve, janë autentike, madje kërkoi që të ketë edhe ndërhyrje nga ndërkombëtarët. Por nuk është vetëm Ahmetaj i cili ka bërë denoncime, janë bërë denoncime të shumta në Shqipëri qoftë nga opozita, qoftë nga gazetarët, dhe asgjë s'ka ndodhur. Po ky është problemi i drejtësisë së re. Ne bëmë një sistem të ri drejtësie për të reformuar sistemin e drejtësisë dhe për të goditur korrupsionin në nivele të larta dhe grupet e strukturuara kriminale. Çfarë ka ndodhur? Nuk ka ndodhur kjo. Edhe arrestimet, me përjashtim të eksponentëve të opozitës.
Tani ky është problemi, që këtu jemi në kushtet kur ne nuk do duhet të flasim vetëm për ato pagat e vonuara me një muaj apo me një javë të gjyqtarëve, por ne këtu do të duhet të flasim për një rithemelim apo një ripërtëritje totale të të gjithë sistemit të drejtësisë, pra de fakto për një reformë të re të drejtësisë. Se ne kur flasim për drejtësinë, i vetmi institucion drejtësie për të cilin sot mund të flasim apo mund të debatojmë, apo mund të argumentojmë, apo mund të komentojmë është SPAK-u. Po çfarë ka ndodhur me prokuroritë? Janë shkrirë prokuroritë. Prokuroria e Tiranës e para, prokuroritë e rretheve si Durrësi, si Fieri, si Vlora, si Shkodra, si Lezha, që dikur kanë qenë produktive. Janë de fakto inekzistente. Janë de fakto inekzistente, pa asnjë bilanc, pa asnjë goditje kundër korrupsionit, pa asnjë goditje kundër krimit. Janë miliona euro të taksave të shqiptarëve që shkojnë për këta prokurorë që nuk bëjnë asgjë. Është vetë Kryeministri Rama që i sulmon pra, e ka krijuar vetë këtë, i sulmon edhe i poshtëron nga mëngjesi deri në darkë. Tani i poshtëron edhe me pagën, dhe ne nuk kemi asnjë lëvizje nga drejtësia. Po kush duhet t'i dali zot qytetarëve? Kush duhet t'i dali? A i kanë dalë për zot çështjes së rendit gjyqtarët dhe prokurorët?
© SYRI.net
SYRI TV/ Rama paralajmëron Gjykatën e Lartë: Prerja e kokës së Veliaj, eksperiment i dështuar
SYRI TV/ Berisha merr ‘Çelësin e Qytetit’ të Mesquite në Teksas, Aleman: Respekt dhe besim për shqiptarët
Telefonat e Abazit dhe Efthimiut zbuluan vilën ‘Jaht’ të Ballukut. Shefja jepte këshilla e miratonte plane punimesh