Katër persona kanë përfunduar në burg në Itali, pasi dyshohen për përfshirje në një grabitje të dhunshme në një banesë në zonën e Montit, pranë Koloseut në Romë.
Ngjarja ka ndodhur në shkurt të vitit 2024, kur tre persona të maskuar dyshohet se kanë hyrë në banesën e një çifti dhe i kanë kërcënuar me armë zjarri. Sipas hetimeve, autorët u kanë thënë pronarëve se do t’u prisnin një gisht nëse nuk bindeshin.
Dy pronarët e banesës janë lidhur në duar me lidhëse plastike, ndërsa autorët u kanë vendosur shirit ngjitës në sy dhe në këmbë, për t’i penguar të shihnin dhe të lëviznin.
Më pas, grabitësit kanë kontrolluar banesën dhe kanë marrë bizhuteri luksoze me vlerë rreth 100 mijë euro, si dhe disa pajisje elektronike.
Në kuadër të hetimeve, karabinierët e Kompanisë së Romës Piazza Dante kanë ekzekutuar një urdhër të Gjykatës së Romës, me kërkesë të Prokurorisë, ndaj katër personave të dyshuar.
Të arrestuarit janë një 34-vjeçar dhe një 69-vjeçar, të dy me origjinë nga Roma, një 46-vjeçar me origjinë boshnjake dhe një 38-vjeçare shqiptare.
Si u zbuluan autorët
Hetimet nisën menjëherë pas denoncimit të grabitjes. Një ditë pas ngjarjes, karabinierët lokalizuan një prej telefonave të vjedhur. Pajisja rezultoi se ndodhej në bagazhin e një skuteri.
Pas identifikimit të pronarit të mjetit, hetuesit sekuestruan telefonin dhe analizuan të dhënat e tij. Në vijim, përmes analizës së materialeve elektronike dhe përgjimeve, hetuesit dyshohet se arritën të identifikojnë personat e përfshirë në grabitje.
Sipas hetimeve, njëri prej të arrestuarve dyshohet se kishte rolin e ‘basistit’, pra personit që siguron informacionet dhe të dhënat logjistike për realizimin e një krimi. Ai dyshohet se u ka dhënë bashkëpunëtorëve informacion mbi banesën ku do të kryhej grabitja.
Tre personat e tjerë dyshohen se kanë qenë autorët materialë të grabitjes dhe se kanë hyrë në banesë.
Gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve, karabinierët gjetën dhe sekuestruan më shumë se 18 mijë euro cash, një bllok shënimesh ku dukeshin të regjistruara borxhe për t’u mbledhur, 62 çeqe me vlerë totale mbi 230 mijë euro, 30 smeraldë dhe një pajisje elektronike për kontrollin e diamanteve.
Katër personat dyshohen, në nivele të ndryshme, për pjesëmarrje në grabitje të rëndë në banesë, të kryer nga disa persona të maskuar dhe të armatosur, si dhe për armëmbajtje pa leje.
Hetimet për rastin vijojnë.
© SYRI.net