Situata nga zjarret në vend vijon të mbetet problematike. Vetëm gjatë ditës së sotme janë raportuar 30 vatra zjarri në të gjithë territorin.
Sipas bilancit zyrtar, 13 prej tyre janë shuar plotësisht, 10 po mbahen nën mbikëqyrje, ndërsa 7 vatra vijojnë të jenë aktive.
Janë aktivizuar 404 forca operacionale vendore dhe lokale të mbështetura nga 21 automjete zjarrfikëse. Në ndihmë janë vendosur gjithashtu 133 efektivë të Forcave të Armatosura, me një helikopter, dy automjete zjarrfikëse, 13 mjete të tjera, një dron dhe një autoambulancë.
Në Tiranë, problematike mbetet vatra në Malin e Dajtit. Aty po operojnë 25 zjarrfikës, 7 forca të ADZM-së dhe 52 efektivë të FA me 6 mjete dhe një autoambulancë. Autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk ka rrezik për zonat e banuara. Ndërkohë vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Malin me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën mbikëqyrje.
Në Qarkun e Dibrës aktivizohen disa vatra: në Lundre-Madhesh të Matit, në Cerrujë - Mali i Allushit në Klos, në Selishtë, si dhe një vatër e re e shfaqur në Pleshë të Klosit. Vatra në Qafën e Helmesit mbahet nën monitorim.
Në Qarkun e Shkodrës, aktive vijon të jetë zjarri në Porav të Fushë-Arrëzit. Zjarret në Rragam dhe në Malin e Tërbunit janë nën kontroll dhe nuk rrezikojnë banesat, ndërsa vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në Qarkun Fier, zjarri në Peshtan është nën mbikëqyrje, ndërsa në Çërrilë të Mallakastrës flakët janë ende aktive. Për shuarjen e tij janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa FA ka ndërhyrë me helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Situatë më e qëndrueshme paraqitet në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, ku vatrat janë kryesisht të shuara ose nën vëzhgim. Në Opar të Korçës puna në terren vijon, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe pa rrezik për banesat.
