Një rast i rëndë abuzimi seksual me një të mitur po hetohet nga autoritetet në Korfuz. Sipas mediave greke, një burrë 51-vjeçar me kombësi shqiptare, banor i përhershëm i Korfuzit, akuzohet për abuzim sistematik të mbesës së tij 8-vjeçare brenda shtëpisë së familjes, në një fshat.
Rasti ka dalë në dritë pasi vogëlushja ka shkuar te mjeku së bashku me nënën e saj. Gjatë vizitës, mjeku ka konstatuar shenja që dyshohet se tregonin abuzim dhe ka informuar menjëherë nënën e fëmijës.
Pas kësaj, nëna ka bërë denoncim në polici, duke çuar në nisjen e hetimeve për të zbuluar se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe prej sa kohësh.
Hetimi paraprak, ka sjellë prova që çuan në arrestimin e 51-vjeçarit. Ai është paraqitur sot, para prokurorit dhe ka kërkuar afat për t'u mbrojtur. Sipas informacioneve, ai e mohon akuzën.
Edhe prindërit e vajzës kanë paraqitur ankesë, ndërsa hetimi vijon me kujdes të veçantë për shkak se bëhet fjalë për një fëmijë të mitur.
Policia po punon për të përcaktuar se prej sa kohësh është abuzuar me të miturën, rrethanat e sakta dhe për të mbledhur çdo provë tjetër që do t'i bashkëngjitet dosjes që do të vlerësohet nga autoritetet gjyqësore.
