Analisti Neritan Sejamini, i ftuar në emisionin “Opinion”, Tv Klan, ka ngritur pikëpyetje mbi katër kompanitë e krijuara prej KAYO-s, duke argumentuar se përmes kalimit të aksioneve të shtetit në pakicë, këto shoqëri dalin jashtë rregullave të prokurimit publik dhe mekanizmave të kontrollit shtetëror.
KAYO është krijuar si një kompani me 100% kapital shtetëror dhe se ligji i ka ngarkuar asaj një sërë funksionesh në sektorin e mbrojtjes, nga prodhimi i armëve dhe mjeteve deri te blerja e teknologjisë dhe dronëve.
Sipas Sejaminit, problemi qëndron te fakti se KAYO nuk i realizon vetë këto aktivitete, por ka krijuar katër kompani të tjera që kryejnë funksionet për të cilat është krijuar vetë kompania shtetërore.
“Supozojmë se nuk do të investohet në arsim dhe shëndetësi, do të bëhet prodhues ushtarake. Dakord. Dhe çfarë ka bërë? Ka bërë një kompani shtetërore me kapital 100% shtetëror që quhet KAYO, e cila në status dhe në ligj i ka të gjitha këto kërkesa: të prodhojë armë, të prodhojë mjetet, të blejë teknologji, të blejë dronët, të çmilitarizojë, të çmontojë…
I ka të gjitha në ligj KAYO. Dakord? Dhe justifikohet që duhet kjo kompani për të bërë këtë, këtë, këtë… Tani çfarë ka bërë KAYO? Në vend që të fillojë të zbatojë këtë detyrim, nuk e merr përsipër vetë këtë gjë, po çfarë ka bërë? Sepse ligji e ka lejuar, ka krijuar katër kompani të tjera. Të cilat bëjnë pikërisht ato gjëra që duhet të bënte KAYO. Pra KAYO vetë nuk bën asgjë nga ato që është ngarkuar me ligj dhe për të cilën është krijuar…”, u shpreh ai.
Sejamini u ndal veçanërisht te struktura e pronësisë së këtyre katër kompanive. KAYO zotëron 20% të aksioneve në tre prej tyre dhe 49% në një tjetër. Ai argumenton se gjitha kjo sjell si pasojë shmangien e rregullave të prokurimit publik, apo dhe nuk kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit apo nga auditimi i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes.
“Në të gjitha këto kompani, KAYO-ja ka 20% në tre prej tyre dhe tek njëra ka vetëm 49%. Pra do të thotë, shteti përmes KAYO-s në këto kompani ka pakicën e aksioneve. Që do të thotë, Ligji i Prokurimit Publik nuk zbatohet më! Ligji i Prokurimit Publik zbatohet vetëm në entet shtetërore dhe në kompanitë në të cilat shteti ka shumicën e administrimit.
Ligji i Kontrollit të Lartë të Shtetit nuk zbatohet as këtu, pra Kontrolli i Lartë i Shtetit s’mund t’i kontrollojë këto katër kompani. Pra këto katër kompani nuk do të prokurojnë me tender. Këto katër kompani nuk do të kontrollohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe këto katër kompani nuk do të kontrollohen nga auditi i brendshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, sepse edhe ai kontrollon kompanitë ku shumica është e shtetit“, tha ai.
Sejamini u shpreh se kompanitë mund të funksionojnë si subjekte private për sa i përket rregullave që u aplikohen, por aktiviteti i tyre lidhet me një treg ku shteti është klienti dhe ku ato kanë një pozicion monopol.
“Vetëm me këtë mekanizëm, nga KAYO kalohet te katër kompani ku shteti ka pakicën, është bërë përjashtimi total nga të gjitha rregullat e prokurimit publik, rregullat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe rregullat e auditimit financiar që bën çdo institucion. Që do të thotë, këto kompani do të veprojnë njësoj si çdo kompani private. Por, me një ndryshim: klient i tyre kryesor dhe monopol është shteti. Siç e tha dhe zoti Veliaj, nuk bën dot asnjë fabrikë dhe asnjë kompani tjetër në fushat përkatëse të këtyre”, tha ai.













