Përgjimet e bëra publike nga Arben Ahmetaj, ku përmendet një skenar për prodhimin e armëve në Sudan ose Nigeri, paketimin e tyre në Shqipëri dhe dërgimin drejt Ukrainës, kanë vendosur në qendër të diskutimeve kompaninë KAYO.
Administratori i saj, Ardi Veliu, ka mohuar kategorikisht çdo përfshirje të KAYO-s në një aktivitet të tillë, duke deklaruar se kompania nuk është pjesë e asnjë skeme për trafik armësh.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Veliu tha se përfshirja e KAYO-s në një proces të tillë është “zero”, duke këmbëngulur se kompania nuk ka aktualisht as kapacitetin dhe as mundësinë ligjore për të zhvilluar një aktivitet të tillë.
“Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero”, deklaroi ai.
Në përgjimet e publikuara nga Ahmetaj del emri i biznesmenit Ron Yeffet. Në një prej bisedave të bëra publike, ai flet për mundësinë që armët të prodhohen në vende si Sudani apo Nigeria, të kalojnë në Shqipëri për paketim dhe më pas të dërgohen drejt Ukrainës.
I pyetur nga Blendi Fevziu për marrëdhënien me Yeffet, Veliu pranoi se e ka takuar atë, duke shpjeguar se biznesmeni ka qenë aksioner në momentin e krijimit të Timak Defence.
“Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner”, tha Veliu.
Por pyetja që mbeti në qendër të intervistës ishte se përse Yeffet, në përgjimet e publikuara, flet për një aktivitet të lidhur me KAYO-n. Veliu nuk dha një shpjegim konkret për këtë pjesë, duke u distancuar nga deklaratat e biznesmenit.
Pjesë nga intervista
Fevziu: KAYO është kompani shtetërore. Pse ka krijuar deri më tani 4 kompani bija, ku shteti është në aksione minoritare?
Veliu: Informacioni që keni ka nevojë të përditësohet. Kemi 6 kompani, jo 4. E fundit është ajo e Fincantierit. Raporti i bashkëpunimit ndërmjet bashkëpunëtorëve ekonomikë nuk është fiks. Në rast se KAYO ka interes të zhvillojë një produkt vetë, duhet të hapë një garë dhe për këtë duhet të ndiqen procedurat për prokurim publik.
Kur nga operatorë ekonomikë, të cilët kanë eksperiencë dhe janë në gjendje të zhvillojnë një produkt të caktuar, ata në fillim shprehin letrën e interesit dhe, bazuar në këtë, fillojnë negociatat për të hartuar një plan biznesi të detajuar për këtë produkt të caktuar. Nëse ky produkt do të jetë fitimprurës dhe nuk kërkon angazhim konkret nga pala jonë… nga KAYO janë harxhuar zero lekë për themelimin e këtyre kompanive.
Timak Defence e ka filluar kërkesën që në janar 2025 që ka kërkuar të hyjë në partneritet me KAYO, për të prodhuar automjete të përshtatura për kalueshmëri të lartë për forcat e armatosura, dhe për gamën e mjeteve që kanë nevojë për përshtatje.
Fillimisht sipas VKM-së, nga kompania TIMAK Defence, KAYO do të kishte 45% të aksioneve, ndërsa kushtet u rishikuan dhe një tjetër VKM u firmos në qeveri me KAYO-n që merrte vetëm 20% të akioneve. Veliu thotë se marrëveshja u rishikua për shkak të propozimit të ri që erdhi nga kompania TIMAK.
Fevziu: Kur është krijuar fillimisht Timak Defence së bashku me KAYO-n, fillimisht është kërkuar që KAYO të jetë 45% aksioneve, pastaj me një VKM është vendosur me 20%.
Veliu: Para se të konkretizonim një bashkëpunim, ne duhet të marrim një VKM ku na përcaktohet mënyra dhe kushtet sesi duhet të negociojmë. Pasi morëm VKM, kaluam në bordin e KAYO-s dhe u mor autorizimi që të ngrihej grupi negociator. Ne ngecëm në negociata, pasi në mes Timak u tërhoq dhe solli plan biznesi të ri, ku e trefishonte investimin. Në këto kushte u kërkua nga bordi ripërcaktim i kushteve të negocimit. Pasi doli VKM me kushtet e reja, u arrit ajo marrëveshje.
Fevziu: Si është përfshirë Ron Yeffet, një personazh që me një kërkim të thjeshtë del problematik në disa vende, aksioner në prodhimin e armëve. Është marrë me investime, me real estate, por kurrë me armë.
Veliu: Timak Defence ka shitur aksionet në rrugë e sipër. Negociatat tona kanë nisur me Timak. Unë Ron Yeffet e kam takuar ditën kur është themeluar kompania se ishte aksioner.
Fevziu: Në një përgjim Ron Yeffet flet për tranzitim të armëve në Shqipëri. Të mund t’i prodhojmë në Sudan, Nigeri dhe do t’i ambalazhojmë në Shqipëri dhe do t’i çojmë në Ukrainë. A ka të drejtë KAYO që të bëjë tregti nga një vend drejt një vendi tjetër vetëm me tranzitim Shqipërinë apo duhet të plotësojë vetëm nevojat e industrisë shqiptare të mbrojtjes?
Veliu: KAYO, duke qenë shoqëri tregtare, ka të gjithë të drejtën të zhvillojë aktivitete në Shqipëri dhe të dalë në eksport me të gjitha prodhimet që do të prodhohen në Shqipëri. Për të shkuar në prodhim, legjislacioni shqiptar është i rregulluar. Për të prodhuar, duhet të marrë licencë. Ne nuk mund të importojmë lëndë të para që do të përdoren për prodhimin e produkteve të licencuara që janë në luftë, nuk janë vende mike. Është e pamundur që një produkt që do të prodhohet në një vend tjetër, të paketohet këtu dhe të eksportohet.
Fevziu: Timak Defence, sipas ligjit, duhet të derdhë 15 mln euro që të fillonte aktivitetin. Në të dhënat e mia kjo shumë nuk është derdhur dhe aktiviteti ka filluar duke marrë çdo muaj 3 mln nga Ministria e Mbrojtjes.
Veliu: Jo, nuk është e vërtetë. Ky 15 mln euro do të jetë për rivitalizimin e ish-uzinës së traktorit, që duhet të kthehet në ambiente të përshtatshme. Ky investim po kryhet. Projekti i propozuar nga Timak është duke u analizuar nga Agjencia e Industrisë së Mbrojtjes. Pasi të marrë certifikatë për prodhimin e produktit, kur të jetë në gjendje finale, do të kalojë në laborator për t’u certifikuar. Në fillim me Timak Defence, do të vazhdojmë me përshtatjen e makinave të kalueshmërisë së lartë, në varësi të nevojave.
Fevziu: Si shpjegohet që Ron Yeffet flet në emër të KAYO-s dhe jo të Timak Defence?
Veliu: Se çfarë thotë x apo y në jetën e tij private, kjo është përgjegjësi e atyre, jo e jona. Nuk jemi përfshirë në trafik armësh. Zero. Deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, se fabrikat që kemi marrë dhe i kemi në pronësi, aktiviteti është zero i prodhimit, nuk kemi asnjë lloj mundësie, qoftë dhe teorike, që t’i futemi këtij procesi










