Policia ka vënë në pranga mbrëmjen e kaluar, Adrian Gjebeshin i njohur dhe si Adrian Merlika, 40-vjeç, pronari i një hoteli në zonën e Fushë-Krujës.
Sipas policisë, ai është arrestuar në ambjentet e hotelit në pronësi të tij, pasi është kapur me një armë zjarri pistoletë. Po ashtu në ambjentet e hotelit janë gjetur dhe sekuestruar, një jelek antiplumb dhe një shumë parash rreth 20 mijë euro.
“Në kuadër të operacionit u kryen kontrolle në subjektin (hotel) në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, me precedent të mëparshëm penal. Gjatë kontrolleve në këto ambiente u gjetën 1 armë zjarri (pistoletë), 1 krehër me 20 fishekë luftarakë, 1 jelek antiplumb dhe 20 000 euro të dyshuara të përfituara nga veprimtari të kundërligjshme. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin u kryen arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit dhe sekuestrimi i sendeve të kundërligjshme që posedonte ai”,- njoftoi sot policia.
Adrian Gjebeshi është një emër i njohur për autoritetet pasi është arrestuar në vitin 2017. I akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë ngjarje e ndodhur në vitin 2015 ku rreth orës 21:00 tentoi të vrasë në qendër të Fushë-Krujës një 25-vjeçar.
Gjebeshi rezulton me precedent penal edhe në shtetin Italian.













