E hënë, 14 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Do të kalojë në stolin tim bashkë me mua”, Rama zyrtarizon largimin e Lamallarit nga ministria e Brendshme

Ilustrim · Vizion Plus

Kryeministri Edi Rama ka zyrtarizuar ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. Besfort Lamallari largohet nga posti i ministrit dhe do të vijojë angazhimin pranë Kryeministrisë, ndërsa në krye të Ministrisë së Brendshme emërohet Ervin Demo, i cili deri tani mbante postin e Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, Rama e cilësoi ndryshimin si një “lëvizje në skuadër”, duke theksuar se Lamallari do të kalojë në ekipin e Kryeministrisë.

“Besforti nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme do të kalojë në stolin tim, bashkë me mua dhe me ekipin këtu në Kryeministri”, deklaroi Rama.

Kryeministri bëri të ditur se Ervin Demo do të marrë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, ku do të integrohen edhe çështjet e pushtetit vendor.

“Ervini, ministri i deritanishëm i pushtetit vendor, do të mbulojë punët e brendshme, ku do të integrojmë edhe çështjet vendore”, tha Rama.

Duke iu drejtuar Lamallarit, kryeministri vlerësoi punën e tij dhe tha se eksperienca e fituar do të vijojë të jetë pjesë e punës së tij në Kryeministri.

“Funksionet e skuadrës dhe nevojat e skuadrës janë mbi të gjithë individët, por nga ana tjetër gjithë eksperienca dhe puna do të jenë bagazhi i domosdoshëm për të vazhduar këtu punën”, u shpreh Rama.

Besfort Lamallari falënderoi kryeministrin për besimin gjatë periudhës së tij në qeveri dhe tha se do të vijojë të jetë pjesë e ekipit.

“Është kënaqësi të vazhdoj rrugëtimin dhe të jem në krahun tuaj për gjithë punët që e presin Shqipërinë dhe shqiptarët”, u shpreh Lamallari.

Ai tha se gjatë këtyre 10 muajve është rritur profesionalisht, duke theksuar se përvoja në qeveri ka qenë një privilegj dhe një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Rama iu përgjigj duke vlerësuar integritetin e Lamallarit dhe duke theksuar se ai do të vijojë punën pranë Kryeministrisë.

Ervin Demo, tashmë në krye të Ministrisë së Brendshme, falënderoi Ramën për besimin dhe e cilësoi detyrën një përgjegjësi të madhe.

“Jam i bindur që do të çojmë përpara prioritetet e qeverisë”, tha Demo, duke vlerësuar edhe punën e bërë deri tani nga Lamallari.

Ai deklaroi se do të vijojë bashkëpunimin me Lamallarin në rolin e tij të ri pranë Kryeministrisë.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh